
Tiranë- Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen në ngarkim të biznesmenit Rezart Taçi të akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në” e parashikuar nga neni 144/a i Kodit Penal.
Sipas hetimeve të prokurorisë, rezulton se shoqëria ‘Kuid’ shpk si agjente e shitjes me pakicë e shoqërisë ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’ sh.a. ka deklaruar komisione shërbimi me fatura fiktive më të larta sesa sasia e furnizuar me karburant për periudhën Maj-Dhjetor 2013. Kështu, kjo shoqëri ka kredituar padrejtësisht TVSH-në me vlerë 10.399,595 lekë. Gjithashtu me transaksion fiktiv ka rënduar shpenzimet e vitit padrejtësisht për shumën 51.997.975 lekë.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se pas kontrollit tatimor të kryer, rezultoi se shoqëria ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’ sh.a. për llojin karburant ‘Diesel’ nga muaji Maj-Tetor 2013 ka shitur një sasi prej 1.298095 litra dhe ka faturuar një sasi prej 4.591.093 litra, me një diferencë më shumë 3.292.998 litra në vlerë 36.818.845 lekësh. Ndërsa për llojin e karburantit ‘Benzinë’ ka kryer shitje në sasinë 608.093 litra duke faturuar 1.934.446 me vlerë 15.070.950 lekë. Versus.al







