Dy ditë më parë policia shpalli në kërkim Arben Isufajn të njohur me nofkën “Ben Qimja” nën akuzën e kanosjes me jetë të gjyqtarit të Fierit, Vladimir Cjapi.
Gjatë kontrolleve në shtëpinë e Isufajt, u gjet një pistoletë dhe municion luftarak e antiplumbë. Familja e gjyqtarit u mor në mbrojtje nga policia.
Ndërsa gazetari Elton Qyno ka zbardhur detaje përsa i takon shkakut për të cilin Ben Qimja kërcënoi me jetë gjyqtarin. Sipas Qynos, shkak i sherrit ka qenë një çështje që aktualisht gjyqtari ka në dorë e cila lidhet me një nga nipat e Isufajt që kundërshtuan policinë.
Duke qenë se para se të bëhej gjyqtar, Cjapi kishte qenë avokat dhe kishte mbrojtur më parë çështje të familjes Isufaj, këtë herë Arben Isufaj i ka kërkuar ndihmë. Por pasi gjyqtari iu përgjigj negativisht, Isufaj nëpërmjet një personi tjetër i ka dërguar një mesazh që sipas mediave ka qenë si më poshtë:
“Mbaje mend se çdo të të bëj, edhe mushkonjat e shtëpisë do ti vras”.
Pas kësaj gjyqtari bëri kallëzim në polici. Pavarësisht kontrollit të banesave të Ben Qimes, ky i fundit nuk u gjet aty. Ndaj 55 vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Versus.al








