Dy vëllezërit Kosta dhe Elton Shabaj kanë rënë në prangat e policisë së Fierit pas një operacioni të koduar “Implicazione”, ku u zbulua se ata kultivonin dhe shisnin kanabis, si dhe mbanin armë zjarri pa leje. Njëri prej tyre tentoi të arratisej me vrap, por u kap menjëherë nga forcat operacionale.
Gjatë kontrolleve në fshatin Ngjeqar, ku banonin vëllezërit, policia sekuestroi 2 armë automatike, municion, doza kanabisi, 200 fara dhe 179 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë. Elton Shabaj u kap me lëndë narkotike në momentin që po përpiqej të largohej. Të dy u arrestuan në flagrancë dhe akuzohen për prodhim dhe shitje të narkotikëve si dhe armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses një tjetër operacion për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit të koduar “Implicazione”, u sekuestruan 2 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike, qindra fara dhe fidanë kanabisi.
Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër) që prodhonin dhe shitnin kanabis, si dhe posedonin armët e zjarrit.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Fier dhe i punës së pandërprerë të inteligjencës policore, për shtetas të cilët prodhonin dhe shitnin lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe posedonin armë zjarri, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Implicazione”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier kapën dhe vunë në pranga shtetasit K. Sh., 47 vjeç dhe E. Sh., 26 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar. Shtetasi E. Sh., sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur menjëherë nga ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Sh. iu gjetën doza kanabisi, të cilat i shiste në fshatin ku banonte.
Nga kontrollet e kryera në banesën e këtyre shtetasve, në fshatin Ngjeqar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri automatikë, 3 krehra, 1 thikë, doza kanabisi, 200 fara kanabisi dhe 179 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë.







