Evis Sala, ministrja e re e Shëndetësisë në qeverinë Rama 4 emëruar zyrtarisht më shtator 2025, mbajti një prezantim bombastik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) më 19 shtator 2025, ku premtoi inteligjencë artificiale revolucionare, diagnostikim të përparuara dixhitale, rimbursim të menjëhershëm 100% të barnave onkologjike dhe ndalim të “hemorragjisë” së mjekëve të rinj që ikin jashtë.
Me ton entuziast, ajo foli për “hapa të mëdhenj” teknologjikë, duke theksuar se “shqiptarët janë shumë kreativë” dhe “me IA mund të bëjmë një hap shumë të madh”, sikur sistemi shëndetësor shqiptar të jetë gati për epokën dixhitale.
“Diagnostika e përparuar është një fushë që unë e njoh mirë... Inteligjenca artificiale do që të dhënat të jenë të dixhitalizuar përpara”, deklaroi ajo, duke premtuar riorganizim të shërbimit parësor për të shpëtuar jetë dhe ulur fluksin në spitale të mbingarkuara.
Por realiteti nuk të lë të bësh fluturime futuristike: ndërprerja e energjisë elektrike në Reanimacionin Qendror të QSUT ndërpreu totalisht punën, duke detyruar nxjerrjen me shpejtësi të pacientëve në rrezik vital nga dhomat e kujdesit intensiv drejt korridoreve të ftohta dhe të pasigurta,mbrëmjen e djeshme, 19 janar.
Qytetarët shpërthyen në ankesa për kaosin e krijuar, pasigurinë totale për stafin mjekësor, pacientët në gjendje kritike dhe familjarët e tyre të dëshpëruar, të cilët panë me sytë e tyre si kushtet bazë të sigurisë si drita dhe energjia e qëndrueshme mungojnë krejtësisht në një spital qendror kombëtar.
Kjo nuk është thjesht një pengesë teknike, por një dështim fatal që vë në rrezik jetë njerëzore, pikërisht aty ku premtimet e ministres duhej të materializoheshin të parat.
Absurditeti i premtimeve boshe mes kolapsit infrastrukturor
“Ajo që dua të fokusoj punën time, mendoj që është e rëndësishme zgjidhja sa më parë e rimbursimit të barnave onkologjike. E palejueshme për ne që barnat onkologjike nuk janë plotësisht të rimbursueshme. Kjo është një sfidë edhe e imja. Është e bëshme”, u shpreh Sala me bindje, por pa përmendur asnjë fjalë për krizën emergjente të energjisë që paralizon çdo pajisje mjekësore.
Si mund të funksionojnë serverët e IA-së apo sistemet diagnostike dixhitale kur generatorët rezervë dështojnë, dhe dritat fiken në repartet më sensitive?
“Do mbyllim rrjedhjen e mjekëve të rinj. Mjeku i mirë shqiptar duhet të vlerësohet edhe këtu si në vendet e tjera”, premtoi ajo, por çfarë motive ka mjeku i ri të qëndrojë kur sheh pacientë të nxjerrë në korridore si në filmat e mesjetës?
Një “oqean i madh” që mbyt realitetin e hidhur
“Shumë kyç është riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues, do shpëtojë shumë jetë dhe do ulë fluksin në spitale. Nuk mundet që çdo spital të jetë i mbingarkuar”, vazhdoi ministrja me optimizëm të tepruar.
Pastaj erdhi kulmi: “Është shumë e vështirë por nuk është aq e vështirë nëse bashkohemi të gjithë, asnjë gjë nuk është e pamundur... Prandaj këtij oqeani të madh që i jam futur, do t’i futemi të gjithë bashkë”.
Këto fjalë të ministres bien si tallje cinike në një vend ku infrastruktura po kolapson në kohë reale spitale pa dritë, pacientë në rrezik, dhe staf i pambështetur.
Teknologjia e avancuar kërkon energji të qëndrueshme 24/7, jo ndërprerje që krijojnë panik vdekjeprurës.
Kjo kundërthënie e papranueshme mes fjalëve premtuese dhe realitetit fatal nxjerr në pah një hipokrizi qeveritare: qytetarët nuk kërkojnë iluzione dixhitale apo “oqeane të mëdha”, por kushte bazë jetike në spitale.
Sa kohë do të vazhdojnë këto premtime boshe ndërsa jetët luhaten mes errësirës dhe kaosit?/Versus.al

