Grupi i mashtruesve të Florian Gjergjit është shfaqur sërish në skenë këtë herë me mashtrimin e një kambisti në Durrës të cilit dyshohet se i riu nga Shkodra, arriti t’i merrte plot 60 mijë euro.
Krimi Ekonomik ka zbuluar se Gjergji ka përdorur të njëjtën skemë duke iu prezantuar kambistit si një kushëri i një biznesmeni të njohur. Duke përfituar nga fakti se kambisti kishte njohje me familjarin e biznesmenit, ai fitoi besimin e tij dhe më pas i kërkoi 60 mijë euro.
Shuma e parave, iu dorëzua një personi pranë qendrës tregtare TEG në Tiranë. Pasi mori paratë, personi u largua drejt Elbasanit ku u takua me një person tjetër që kishte mbërritur me taksi nga një zonë rurale. Të dy personat e përfshirë në skemën e tërheqjes së parave, janë arrestuar nga policia. Ata kanë deklaruar se ishin kontaktuar nga Florian Gjergji për këtë shumë parash që kanë marrë.
Vetë kambisti e ka zbuluar mashtrimin pasi me të dorëzuar 60 mijë eurot, telefonoi mikun e tij. Në atë moment ka mësuar se personi në fjalë nuk kishte kërkuar asnjë shumë parash dhe se kishte rënë pre e një skeme mashtrimi.
Florian Gjergji dyshohet se ndodhet në Gjermani. Ndërsa më herët janë arrestuar anëtarë të grupit të tij të cilët hiqeshin si politikanë apo biznesmenë të njohur dhe më pas u kërkonin ‘viktimave’ të tyre para borxh të cilat nuk ua kthenin më. Versus.al

