
Sarandë- Me vendim të gjykatës së Tiranës është ushtruar kontroll në ambientet e shoqërisë “Nikaj” sh.p.k pas materialeve të paraqitura nga emisioni investigative “Stop” ku u ngritën dyshimet për një skemë evazioni fiskal.
Qendra tregtare “Nikaj shpk” dyshohet se kishte ngritur një skemë të mirëorganizuar për shkelje fiskale. Administratorët dhe drejtuesit e kompanisë po hetohen për falsifikim dokumentesh pasi dyshohet se kanë përdorur dokumente financiare dhe tatimore të manipuluara për të fshehur qarkullimin real të parave duke shmangur deklarimin e xhiros reale apo lëshimin e kuponëve tatimorë. Sipas burimeve, vlera e evazionit fiskal për punësim të paligjshëm, mospagim detyrimesh, mund të arrijë në miliarda lekë.
Deri më tani në fazën fillestare ku gjenden hetimet, janë zbuluar produkte pa dokumentacion doganor të rregullt. Hetimet përfshijnë edhe zyrtarë të administratës tatimore në Sarandë, konkretisht drejtorin e tatimeve dhe disa inspektorë të cilët dyshohet se nuk kanë kryer kontrolle duke lejuar evazionin fiskal. Sipas mediave, pjesë e kësaj skeme dyshohet të ketë qenë edhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Klement Bello i cili mbështeste aktivitetin e paligjshëm. Verifikimet po kryhen edhe për dyshimet se mund të kemi të bëjmë edhe më pastrim parash në këtë qendër tregtare ku paratë e aktiviteteve të paligjshme mund të jenë futur në qarkullim për të fshehur origjinën e tyre. Versus.al

