Pas raportimeve të shumta prej qytetarëve për çmime të larta të shërbimeve, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur nën hetim kompanitë telefonike “Vodafone” dhe “One”.
Në njoftimin e shpërndarë, bëhet me dije se hetimi ka nisur për shkak të raportimeve të vazhdueshme të qytetarëve shqiptarë të cilët pretendojnë për çmime tepër të larta të shërbimit që u ofrohet nga këto kompani. Dyshimet janë se këto dy kompani kanë shkelur nenin që mbron konkurrencën pasi shtrenjtuan njëkohësisht paketat e shërbimeve.
“Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 29.01.2025, mori në shqyrtim raportin e Sekretariatit të Konkurrencës për hapjen e procedurës së hetimit parapak ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Nisur nga disa ankesa të paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi rritjen e çmimit të paketave me parapagesë nga ndërmarrja Vodafone Albania SHA, si dhe të ankesave në vijim gjatë viti 2024 për ndërmarrjen One Albania SHA, Autoriteti i Konkurrencës në bazë të nenit 28 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, realizoi një monitorim në këtë treg, i cili konsistoi në vlerësimin e sjelljes së ndërmarrjes Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA.
Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit, u konstatua se sjellja e ndërmarrjes Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare mund të përbëjë kufizim të konkurrencës në kuptim të nenit nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Tregu i telefonisë celulare ka qënë dhe mbetet një treg në fokus të veçantë të Autoritetit të Konkurrencës me qëllim jo vetëm mbrojtjen e konkurrencës por si rrjedhojë edhe të konsumatorit.
Në përfundim, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1156, datë 29.01.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA”- thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale nga Autoriteti i Konkurrencës.
Hetimi për abuzime të mundshme me çmimet e shërbimeve do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janari i vitit 2022 deri në 31 dhjetor 2024. Versus.al








