
Prokuroria dhe Policia e qytetit bregdetar të Sarandës kanë ndërhyrë për të ndaluar ceremoninë mortore të një 40-vjeçari nga Ksamil, i cili ishte gjetur i vdekur në banesë në rrethana të paqarta, vetëm katër ditë pas kthimit nga Greqia.
Viktima është identifikuar si Gerti Kallojeri, 40 vjeç, emigrant prej vitesh në shtetin fqinj. Ai u gjet pa shenja jete mesditën e së shtunës, nga nëna e tij, e cila e kishte kërkuar pasi i biri nuk po i përgjigjej.
Familjarët, të tronditur nga ngjarja, nuk njoftuan as spitalin dhe as policinë, siç kërkon procedura në raste të tilla. Në vend të kësaj, ata kontaktojnë shërbimin funeral, duke nisur përgatitjet për varrimin pa asnjë raport mjekësor që të përcaktonte shkakun e vdekjes.
Kur shërbimi funeral shkoi në banesë për të marrë trupin, organi i akuzës dhe policia ndërhynë, duke pezulluar ceremoninë. Pas hetimeve paraprake, Prokuroria e Sarandës lëshoi urdhër për transportimin e trupit drejt Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse vdekja ka qenë natyrale apo e dyshimtë.
Sipas burimeve të policisë, familjarët nuk kundërshtuan vendimin për ndalimin e varrimit, ndërsa hetimet janë zgjeruar për të verifikuar nëse ka pasur përpjekje për fshehjen e rrethanave të vdekjes.
Trupi i 40-vjeçarit ndodhet aktualisht në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku pritet rezultati i autopsisë, që do të zbulojë nëse pas kësaj vdekjeje fshihet një shkak natyral apo një histori tjetër më e errët.
