Katër ditë pas atentatit të Rinasit ku u vra Gilmando Dani, ka ndërruar jetë edhe miku i tij, Muçi Shaljani, agjenti i AMP i cili mori 2 plumba në kokë dhe 8 në trup.
Shaljani ka ndërruar jetë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm pas disa ditëve në gjendje kome për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë në atentatin ku u qëllua me breshëri së bashku me Gilmando Danin teksa largoheshin nga aeroporti me automjetin tip “Benz S Class”.
Në shtator të këtij viti Shaljani ishte punësuar si agjent i Mbikëqyrjes Policore edhe përse nuk përmbushte asnjë kriter. Pas verifikimeve u zbulua se atë e kishin ndihmuar nënkomisari Bruno Cara dhe inspektori Arshim Zajmi të cilët janë arrestuar nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Ndërsa u pezullua edhe zinxhiri drejtues i AMP-së.
Nga opozita pati akuza se Shaljani ishte angazhuar gjatë fushatës zgjedhore të 11 majit për të mbledhur vota për Ervin Hoxha i cili asokohe ishte ministër i Brendshëm dhe pavarësisht se nuk kishte ndonjë profil të njohur politik, arriti të merrte numër të lartë votash, madje edhe nëpër burgje.
Atentati i Rinasit
Gilmando Dani, i dënuar më parë për gjobëvënie dhe i njohur si krahu i djathtë i personazhit të krimit, Emiljano Shullazi, mesditën e së martës, po kthehej nga Spanja së bashku me Muçi Shaljanin. Të dy kishin qëndruar në Barcelonë për 4 ditë. Rreth orës 14:15 të 11 nëntorit, dolën nga Rinasi me mjetin tip “Benz” ku Shaljani ishte shofer dhe Dani pasagjer. Në atë moment në rrethrrotullim janë hasur me një breshëri plumbash që vinin nga 3 persona që kishin ndaluar mjetin tip “Toyota” në vendngjarje.
Autorët qëlluan me rreth 100 plumba. Dani vdiq në vendngjarje ndërsa Shaljani mbeti i plagosur rëndë për disa ditë derisa ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Deri më tani, i vetmi person i shpallur në kërkim është Ylli Zalla, një 48 vjeçar me precedentë kriminalë të mëparshëm në fushën e prodhimit të lëndëve plasëse. Ndërsa ishte i dyshuar si pjesë e rrjetit të rekrutimit të personave për të luftuar krah ISISI-t në Siri. Versus.al


