Kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj ka reaguar pasi Partia Demokratike, Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje shprehën mbështetjen e tyre ndaj tij për zgjedhjet e 9 nëntorit në bashkinë e Tiranës.
Binaj i falenderoi forcat politike për mbështetjen, ndërsa tha se mbetet i hapur për mbështetjet e tjera nga partitë opozitare.
Teksa theksoi se ai nuk është pjesë e një partie të caktuar dhe se garën po e bën për të ndryshuar Tiranën, aktori i mirënjohur u bëri thirrje qytetarëve që të bëhen bashkë për të dënuar ata që i kanë vjedhur.
‘’Falenderoj për mbështetjen që i dha kandidimit tim si kandidat i pavarur Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurrje. Mbetem i hapur për çdo mbështetje që do të vijë nga forcat opozitare. Dëshiroj mbi të gjitha të falenderoj me mijëra qytetarë të Tiranës, të cilët më kanë inkurajuar këto ditë. Kjo garë është për ju!
Unë nuk jam politikan, jam qytetar dhe partia ime jeni ju. Deri më sot kam luftuar padrejtësinë dhe të keqen me humorin dhe artin tim, sot ju ftoj ta luftojmë me votë. Të dënojmë ata që na vodhën dhe bënë humor me ne! Ju ftoj të bëjmë bashkë mendjet dhe zemrat kundër pushtetit që po dhunon jetët dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!’’-shkroi Binaj.
Deri më tani nga partitë opozitare pa një kandidat, vetëm ‘’Mundësia’’ e Agron Shehajt nuk ka shprehur mbështetjen për shkak të mënyrës sesi u informuan mbi kandidaturën e Binajt. Versus.al







