AKTUALITET /

“Mos flirtoni me gratë shqiptare”, më 1 shtator hapen kampet për emigrantët, porosia për oficerët italianë në Lezhë: Kujdes, të gjithë dinë italisht

Më 1 shtator hapen qendrat e pritjes së emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin ndërsa për 500 oficerët e parë italianë që do vijnë në Shqipëri më 20 gusht, është publikuar edhe manuali i sjelljes që duhet të kenë.

Shkruar nga Versus
“Mos flirtoni me gratë shqiptare”, më 1 shtator hapen
Oficerë italianë në kampin e ngritur në Shëngjin

Lezhë- Pritja e emigrantëve afrikanë në kampet e ngritura në Shëngjin dhe në Gjadër duhej të kishte nisur më datë 1 gusht, por shkak për shtyrjen e afatit që dha kryeministrja italiane Giorgia Meloni u bë vonesa e punimeve që ishin shtyrë për shkak të temperaturave ekstreme.

Në Shëngjin, puna ka përfunduar, ndërsa në Gjadër janë në detajet e fundit. Media italiane ‘La Repubblica” shkruan se oficerët italianë që do të merren me menaxhimin e kontigjentit të emigrantëve të cilët do të mbërrijnë në Shqipëri, do të vijnë më 20 gusht kur do të bëhet edhe një lloj hapje e pjesshme e qendrave të pritjes së emigrantëve. 

"Nisja e kontingjentit të parë prej 500 personash, përfshirë policinë, karabinierët dhe policinë financiare, të cilët do të duhet të sigurojnë funksionimin e protokollit të Shqipërisë, është planifikuar gjithashtu për 20 gusht"- thuhet në artikull. 

Në manualin për sjelljen e oficerëve italianë, u kërkohet që të vishen në mënyrë sa më të matur dhe të mos flasin me gratë e vendasve për të shmangur ndonjë tension të mundshëm.

“Manuali surreal i dorëzuar gjatë kursit të trajnimit për oficerët italianë që do të dërgohen për të menaxhuar burgun për emigrantët në Gjadër: nga mënyra se si të visheni deri te si të pini kafe. Si fillim, "shmangni kontaktin ndaj grave shqiptare. Një burrë që sheh gruan e tij duke u ballafaquar nga një burrë tjetër, mund të reagojë keq". Duke qenë se këta janë “një popull modest, lakuriqësia apo gjendja jo esëll në publik nuk është e mirëseardhur”- thuhet në manual, shkruan La Reppublica.

“Mos flirtoni me gratë shqiptare”, më 1 shtator hapen
Manuali për sjelljen e oficerëve italianë në Gjadër e Lezhë

Disa prej pikave të udhëzimit: 

"Populli shqiptar është shumë mikpritës, por duhet të merren parasysh disa masa paraprake të dobishme.

Shqiptarëve nuk u pëlqen të nënvlerësohen në kuptimin që të mos të paraqiteni kurrë me një qasje epërsie.

Ata janë një popull modest, prandaj lakuriqësia apo veshja e ekzagjeruar në publik nuk është e mirëpritur.

Shmangni shoqërimin me gratë shqiptare në të gjitha kuptimet. Është një shoqëri më konservatore, sidomos në veri të vendit. Burri që e njeh ose e sheh gruan e tij duke u shoqëruar me një burrë tjetër mund të reagojë keq.

Shqipëria është një vend shumë i sigurt, nuk ka mikrokrim (as vjedhje, as grabitje, as ngacmime seksuale). Prandaj shmangni mosbesimin.

Në Shqipëri nuk ka fanatizëm fetar. Pavarësisht se është një vend me shumicë besimi mysliman (mbi 50% të popullsisë), ka bashkëjetesë paqësore.

Konsumimi i kafes nuk është në banak, por vetëm ulur, në restorante përmbajuni menusë, kërkesat për ndryshime nuk janë të mirëpritura”.

Dhe, në fund, rekomandimi i rekomandimeve: “Kini kujdes se si flisni… pothuajse të gjithë shqiptarët dinë italisht!”.

Ndërsa hapja totale e kampeve në Gjadër dhe Shëngjin pritet të bëhet më 1 shtator.

Kampet në Gjadër dhe Shëngjin u ndërtuan si pasojë e një marrëveshje të firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane ku Shqipëria i vjen në ndihmë Italisë në menaxhimin e fluksit të emigrantëve duke marrë një pjesë të tyre të cilëve u shqyrtohet kërkesa për azil. Kohëzgjatja e marrëveshjes është 5 vite dhe në bazë të kësaj në vend pritet të mbërrijnë 3 mijë emigrant afrikanë të cilët do qëndrojnë këtu teksa Italia u shqyrton kërkesat për azil. Në rast të pranimit, shkojnë në Itali, në të kundërt duhet të deportohen në Afrikë. Kapaciteti maksimal në vit është 36 mijë emigrantë. Për ndërtimin e kampeve thuhet të jenë investuar rreth 1 mld euro, ndërsa Shqipëria nuk përfiton asgjë nga ana ekonomike. Versus.al

Poll