
Dritan Rexhepi, i njohur ndryshe si “mbreti” i trafikut të kokainës nga Amerika Latine, ka dëshmuar për herë të parë në GJKKO lidhur me akuzat e bëra ndaj tij për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës në vitin 2020.
Ai pranoi se kishte marrë dijeni për vjedhjen e një sasie droge në Portsmouth të Londrës, por mohoi të ketë gisht në vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës duke argumentuar se ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Ekuadorit.
"Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge. Ju do më pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohë i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Docaj (Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen që kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjell avokatja dokumentat nga burgu i Firences, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës. E mora vesh nga mediat në Shqipëri. Kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzohesha për diçka që kishte ndodhur në Shqipëri"- deklaroi mes të tjerash Rexhepi.
Dritan Rexhepi i arrestuar më Stamboll në 10 nëntor 2023, u ekstradua më 8 janar 2025 në Tiranë dhe u dërgua direkt në burgun 313, nën masa të rrepta sigurie.
Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba këmbës. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën ta fusin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë, ku u transportua në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.
SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e resortit, të cilat konfimuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje. Pavarësisht pamjeve filmike, ku shfaqet i vdekur, trupi i pajetë i Jan Prengës ende nuk është gjetur.
Altin Hajri është në kërkim që prej 5 vitesh tashmë. Së fundmi u zbulua se ishte ndihmuar nga deputeti i PS, Jurgis Çyrbja i cili e kishte fshehur në shtëpinë e tij dhe në këmbim kishte marrë ndihmë për të siguruar mijëra vota në zgjedhjet e 2021-it. Pasi u zbuluan edhe përgjimet në Sky Ecc, SPAK thirri Çyrben për ta marrë në pyetje dhe ky i fundit një ditë më pas dorëzoi mandatin e deputetit me shpresë që çështja t’i kalonte prokurorisë së Durrësit, por mbrëmjen e 20 tetorit të 2024-ës u arrestua në qytetin bregdetar. Versus.al








