Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dhënë detaje mbi situatën e reshjeve të shiut në vend dhe pasojat e sjella në qarqe të ndryshme. Në Shkodër vijon të mbetet i bllokuar segmenti rrugor Breg Lumi-Theth.
Në Fushë-Arrëz raportohen për ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të erës së fortë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar pasi pritet të ketë reshje të vazhdueshme shiu me intensitet të lartë në disa zona të vendit. Përveç problematikave të raportuara nga agjencia e Mbrojtjes Civile, situata paraqitet e rënduar në bashkinë e Matit ku një banesë në fshatin Rreth Bazë është përmbytur ndërsa familja është evakuuar.
Njoftimi i plotë:
Situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.
Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.
Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.
Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh dhe forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika nga moti.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, në koordinim të strukturave për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq. Ju lutemi banorëve të zonave, ku mund të paraqiten probleme të kontaktojnë me autoritetet vendore! Versus.al


