
Shkodër- Banorët kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të resortit luksoz që biznesmeni Bashkim Ulaj planifikon të ndërtojë në kufi me zonën e fshatit Baks-Rjoll të Velipojës.
Për të dytën ditë radhazi, banorët kanë kërkuar ndaljen e punmeve, ndërsa e akuzojnë biznesmenin Ulaj se në bashkëpunim me Fatmir Shpellzajn, kreun e PL në Malësi të Madhe, nëpërmjet falsifikimeve u kanë grabitur pronat që i kanë trashëguar brez pas brezi.
“Këtu një njeri i panjohur fare, del dhe merr 1500 dynym tokë, si ka mundësi. Edhe të jetë tokë publike, shteti duhet ta shohë pse ka marrë 1500 dynym tokë. Ai nuk ekziston askund, del nga nëntoka, merr një pasuri që është e popullit. Policia, ne kemi respekt. Por nëse është e mundur që po mbrojnë atë zotërinë, të na mbrojnë edhe ne. Të ndalojnë punimet, të ulen rrafshit, të diskutojnë, të vijë ai zotëria që na ka marrë tokën, siç vi unë. Jam ballafaquar me atë dy herë, ai thotë e kam marrë tokën unë se më takon. I kam thënë eja të merresh vesh me njerëzit. Të ndalojnë punimet dhe të merremi vesh, ne nuk duam konflikt me policinë”- u shpreh njëri prej banorëve.
Ndërsa gjatë tentativës së banorëve për të ndaluar punimet që tashmë kanë nisur, kanë qenë të pranishme edhe forcat e rendit duke sjellë si pasojë përplasjen e disa efektivëve me banorët.
Fshati turistik që pritet të ndëtohet nga Ulaj, kap vlerën e 70 milionë eurove dhe parashikohet që të punësojë mbi 220 persona. Versus.al








