Familjarët e 59-vjeçarit që ndërroi jetë në Devoll pak ditë më parë, kanë reaguar sot lidhur me ngjarjen, duke hedhur poshtë çdo aludim apo pretendim për lidhje mes trajtimit dentar dhe humbjes së jetës së të afërmit të tyre.
Në një komunikim jashtë kamerave, ata theksuan se nuk kanë asnjë ankesë apo pretendim ndaj stafit mjekësor, duke shtuar se sipas tyre, vdekja ka qenë pasojë e shkaqeve natyrale, të cilat ndodhën rastësisht pas vizitës dhe shërbimit dentar.
“Vdekja nuk ka lidhje me ndërhyrjen dentare. Ka qenë një ngjarje e rastësishme dhe për shkaqe të tjera shëndetësore”, kanë deklaruar të afërmit, duke theksuar se humbja e jetës ka ardhur nga probleme të natyrshme dhe jo si pasojë e ndonjë gabimi mjekësor.
Sipas raportimeve, viktima kishte shkuar në klinikë së bashku me dy djemtë, një kushëri dhe një tjetër të afërt të familjes.
Pas një mbushjeje në dhëmballë, ai është ndjerë keq dhe ka përsëritur disa herë fjalët: “Nuk jam mirë”.
Gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi dhe, sipas dyshimeve paraprake, shkak i vdekjes mund të ketë qenë një infarkt./Versus.al







