
Qindra qytetarë kanë protestuar sot në zonën e pyllit të Hidrovorit në Akërni, zonë e mbrojtur. Protestuesit kanë kërkuar ndalimin e punimeve në këtë zonë e cila prej vitesh shfrytëzohet si plazh nga qytetarët. Duke e konsideruar “turp të madh”, ata shprehen se nuk e dinë se kush po ndërton dhe si mund të lejohet diçka e tillë në një zonë të mbrojtur.
“Për këtë duhet të ngrihen të gjithë shqiptarët, nuk është vetëm e Vlorës. Është turp i madh për këto gjëra që po ndodhin. Kam jetuar jashtë dhe nuk ndodhin këto. Prapë po rris fëmijët këtu, erdha për një maj nuk më lanë, kalova andej se nuk lejohet”- u shpreh njëri prej banorëve.
Protestuesit deklaruan se Akërni është një pasuri publike dhe zonë e mbrojtur me ligj, ndaj çdo ndërhyrje duhet të respektojë legjislacionin mjedisor dhe të konsultohet me komunitetin lokal. Të pranishme gjatë protestës ishin edhe forcat e policisë. Versus.al

