
Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një dosje penale që lidhet me ndërtimet pa leje në zonën e Rana e Hedhun në Shëngjin. Për këtë çështje janë shpallur të pandehur 9 persona, mes tyre ish-zyrtarë dhe policë, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Falsifikim Dokumentesh” dhe “Ndërtim i Paligjshëm”.
Tre ish-drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Gentjan Malota, Artur Shabaku dhe Admir Maxhani, akuzohen për shpërdorim detyre. Të njëjtën akuzë do ta kenë edhe dy ish-drejtues të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Kol Malaj dhe Flori Gjini, si dhe polici i zonës së Shëngjin, Martin Ndoka.
Ndërtuesi Pjetër Tuçi është i pandehur për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”.
Në dosje janë përfshirë gjithashtu dy inxhinierë ndërtimi, Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, të cilët do të përballen me akuzën për “Falsifikim dokumentesh”./Versus.al

