
Ndër të tjera, në raportin e hartuar për vitin 2025, Prokuroria e Posaçme (SPAK) flet për nivel të lartë të veprimit të krimit të organizuar. Sipas SPAK, vendi ynë po përdoret për pastrim parash të pista të cilat vijnë nga aktivitetet e rënda kriminale që grupet kriminale zhvillojnë jashtë vendit.
Gjithashtu vendi ynë cilësohet si qendër rekrutimi për personazhe që merren me aktivitete kriminale.
Krimi i organizuar:
Gjatë vitit 2025, vihet re se, aktiviteti i grupeve kriminale ka shfaqur një nivel të lartë organizimi, specializimi dhe të shtrirjes ndërkombëtare, veçanërisht në trafikimin e kokainës dhe drogave të tjera drejt tregjeve të BE-së. Këto grupe kanë operuar përmes zinxhirëve të mirëorganizuar të furnizimit, transportit, magazinimit, shpërndarjes dhe transferimit të përfitimeve financiare, duke shfrytëzuar rrugët detare, ajrore, tokësore dhe infrastrukturën financiare ndërkombëtare.
Veprimtaria kriminale karakterizohet nga një ndarje e qartë e roleve, përdorimi i komunikimeve të enkriptuara, krijimi i subjekteve tregtare fiktive. Po ashtu, trafiku i narkotikëve është ndërthurur me forma të tjera të korrupsionit, pastrimit të parave, duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë dhe kompleksitetin e grupeve kriminale, që veprojnë në Shqipëri, apo atyre që drejtohen ose dominohen nga shtetas me kombësi shqiptare, jashtë vendit. Vihet re se, shumica e aktiviteteve të rënda kriminale të këtyre grupeve zhvillohet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa Shqipëria përdoret kryesisht për pastrimin e produkteve të veprës penale, si vend tranziti, rekrutimi dhe qendër koordinimi, e aktiviteteve kriminale kryesore. Versus.al

