AKTUALITET /

Nga debatet në rrjete sociale te th*kat në rrugë: Zbardhen detaje nga përplasja mes adoleshentëve në Kamëz

Ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një konflikti mes dy të miturve, i cili më pas është përshkallëzuar pasi në përplasje janë përfshirë edhe miqtë dhe të afërmit e tyre.

Shkruar nga Versus

Nga debatet në rrjete sociale te th*kat në rrugë: Zbardhen detaje

Detaje të reja janë zbardhur nga përplasja masive e ndodhur mbrëmjen e kaluar në zonën e Bathorës, në Kamëz, ku pesë persona kryesisht të mitur mbetën të plagosur.

Sipas burimeve nga policia, në konflikt janë përfshirë rreth 15 të rinj të moshës 15 deri në 19 vjeç.

Dy prej tyre, mes të cilëve shtetasi Ermal Laçi dhe një 16-vjeçar, janë arrestuar dhe do të dalin para gjykatës.

Ndërkohë, për disa të tjerë është nisur procedimi në gjendje të lirë, përfshirë K. A. (21 vjeç), A. A. (25 vjeç) dhe katër të mitur të tjerë.

Ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një konflikti mes dy të miturve, i cili më pas është përshkallëzuar pasi në përplasje janë përfshirë edhe miqtë dhe të afërmit e tyre.

Sipas hetimeve paraprake, zanafilla e debatit lidhet me mosmarrëveshje të nisura në rrjetet sociale, që më pas janë kthyer në përballje fizike, të shoqëruara me fjalë fyese dhe sjellje provokuese të tipit: “Pse më sheh, e di ç’bëj unë.”

Të rinjtë kishin lënë takim për t’u “sqaruar” në bulevardin kryesor Institut–Kamëz, në Bathore.

Fillimisht, sipas kamerave të sigurisë dhe dëshmive, ata i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, por situata ka dalë jashtë kontrollit dhe është përshkallëzuar në dhunë fizike, duke përfshirë edhe përdorimin e mjeteve prerëse e sendeve të forta.

Si pasojë, pesë persona mbetën të plagosur:

R. B. dhe J. H. – me plagë në shpinë

K. A. – me plagë në krahë

S. P. – me plagë në bark

E. P. – me plagë në kokë
Të plagosurit u dërguan në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku morën ndihmën e nevojshme mjekësore.

Fatmirësisht, gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën dhe disa prej tyre janë larguar tashmë nga spitali me plagë sipërfaqësore.

Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe më herët në Kamëz.

Vetëm pak ditë më parë, pranë shkollës “Ibrahim Rugova”, dy të mitur u plagosën me thika pas një sherri mes bashkëmoshatarësh edhe në atë rast për motive banale të tipit “pse më sheh”./Versus.al

Poll