Pas tre javësh hetime intensive me metoda proaktive, Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Storm 9”, duke goditur një grup të organizuar që merrej me trafikimin e femrave nga Kolumbia, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion.
Sipas njoftimit zyrtar, në përfundim të hetimeve, është shpallur në kërkim një shtetas kolumbian 28-vjeçar, D. G., i dyshuar si organizatori i rrjetit kriminal, ndërsa dy bashkatdhetare të tij, 24-vjeçaret M. A. dhe Y. C., janë arrestuar në flagrancë.
Të arrestuarat kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 18 të Durrësit, të cilin e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit dhe për shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në banesë, policia sekuestroi:
një sasi lënde narkotike kanabis sativa,
një shumë parash të dyshuar të përfituar nga prostitucioni,
pesë celularë dhe pasaportat e dy shtetaseve të arrestuara.
Gjithashtu, është proceduar penalisht pronari i apartamentit, V. R., 45 vjeç, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”, si dhe tre shtetas të tjerë, M. S., E. B. dhe A. H., për veprën penale “Prostitucioni”.
Sipas të dhënave hetimore, shtetasi kolumbian i shpallur në kërkim dyshohet se ka trafikuar disa shtetase nga Kolumbia drejt Shqipërisë, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion në zonën e Durrësit.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e organizatorit dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Finalizohet pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Storm 9”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasi kolumbian, organizatori i kësaj veprimtarie kriminale.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetase kolumbiane që kishin marrë me qira një apartament, në lagjen nr. 18, Durrës, për ushtrimin e prostitucionit dhe për shitjen e lëndëve narkotike.
Procedohen penalisht pronari i apartamentit, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”, dhe 3 shtetas, për veprën penale “Prostitucioni”.
Sekuestrohen një sasi kanabisi, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 5 celularë dhe pasaportat e 2 shtetaseve të arrestuara.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, përgjatë 3 javëve, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar “Storm 9”. Në kudër të këtij operacioni:
- u shpall në kërkim shtetasi D. G., 28 vjeç, banues në Kolumbi, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
-u arrestuan në flagrancë shtetaset M. A., 24 vjeçe, Y. C., 24 vjeçe, të dyja banuese në Kolumbi, për veprat penale “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
-nisi procedimi penal për pronarin e apartamentit, shtetasin V. R., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
-nisi procedimi penal për shtetasit M. S., E. B. dhe A. H., për veprën penale “Prostitucioni”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi kolumbian ka trafikuar shtetase kolumbiane në Shqipëri, me qëllim shfryrtëzimin e tyre për prostitucion. 2 shtetase kolumbiane (të arrestuarat) kishin përshtatur një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 18, Durrës, për të ushtruar prostitucion.
Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: sasia e lëndës narkotike, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 5 celularë dhe pasaportat e 2 shtetaseve të arrestuara.
Vijon puna për kapjen e shtetasit D. G. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./Versus.al







