AKTUALITET /

Nuredin Dumani shtrohet me urgjencë në QSUT, shoqërohet nga RENEA e forcat speciale. Ja nga se vuan

Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve konfirmojnë për mediat se Dumani ka shfaqur probleme të rënda kardiake, konkretisht aritmi dhe takikardi, të cilat janë shoqëruar më pas me vështirësi në frymëmarrje, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë për transportimin e tij të menjëhershëm drejt QSUT-së.

Shkruar nga Versus

Nuredin Dumani shtrohet me urgjencë në QSUT, shoqërohet nga RENEA

Nuredin Dumani, një nga bashkëpunëtorët kyç të drejtësisë në hetimet për krimin e organizuar në Shqipëri, është shtruar ditën e sotme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për shkak të problemeve shëndetësore.

Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve konfirmojnë për mediat se Dumani ka shfaqur probleme të rënda kardiake, konkretisht aritmi dhe takikardi, të cilat janë shoqëruar më pas me vështirësi në frymëmarrje, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë për transportimin e tij të menjëhershëm drejt QSUT-së.

Për shkak të profilit të lartë të tij si dëshmitar i drejtësisë në disa çështje të ndjeshme penale dhe hetimore, shoqërimi është bërë nën masa të rrepta sigurie, në përputhje me protokollet e posaçme. Në transportimin e tij kanë marrë pjesë forcat speciale të burgjeve, të mbështetura nga njësia RENEA, ndërsa për çdo hap është njoftuar edhe SPAK.

Masa të rrepta sigurie janë marrë edhe në ambientet e spitalit ku ndodhet i shtruar Dumani, duke pasur parasysh rrezikun e lartë që paraqet pozicioni i tij si një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm të strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Dumani ka qenë kyç në zbardhjen e një sërë vrasjesh të bujshme dhe ngjarjesh kriminale që përfshijnë grupe të strukturuara kriminale, ndaj edhe siguria e tij konsiderohet çështje e nivelit të lartë të prioritetit nga autoritetet shqiptare të drejtësisë dhe rendit.

Aktualisht, ai ndodhet në vëzhgim të plotë nga mjekët kardiologë dhe sipas burimeve, është jashtë rrezikut për jetën, megjithëse do të qëndrojë nën kujdes mjekësor, derisa gjendja e tij të stabilizohet plotësisht. / Versus/ 

Poll