Ditët e fundit, mediat kanë publikuar detaje nga dosja në ngarkim të biznesmenit Ergys Agasi, të shpallurit në kërkim si bashkëdrejtues i një grupi kriminal me në fokus tenderat e AKSHI-t, institucion nga i cili ka marrë miliona euro pa bërë asnjë punë.
Në dosje SPAK ka përfshirë edhe regjistrimet e përfituara falë pajisjes përgjuese që Agasi kishte vendosur në zyrën e tij ku ishte takuar me drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ministra e drejtorë si dhe zyrtarë policie.
Sa i takon kësaj dosje, gazetari Elton Qyno ka deklaruar në Top Story se janë rreth 130 video të regjistruara me pajisjen përgjuese të Agasit dhe po shihen me imtësi nga SPAK, ndërsa pritet të ketë edhe zyrtarë të tjerë publikë që mund të kompromentohen.
“Është një dosje që është në vijimësi, do të ketë zyrtarë të tjerë në administratën shtetërore, sepse shumë nga ajo pajisja përgjuese që çuditërisht nuk e di se cili ka qenë qëllimi që ky duhet t’i përgjonte të gjitha takimet. Janë 130 e kusurë video, që janë rikuperuar dhe marrë nga kjo pajisje. Padyshim që do të shihen njëra pas tjetrës. Zakonisht në dosjen penale ato tre pikat, unë që kam parë dosje, janë sharje, ose janë emra që SPAK nuk do t’i bëjë publik. Këto janë dy standarde ku vihen pikat”- deklaroi gazetari. Versus.al


