
Armis Stafa, alias Armees Stava, 36 vjeç, nga Elbasani, është arrestuar në Dubai si pjesë e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”. Ai ishte në kërkim në kuadër të mega-dosjes “Plumbi i Artë 2”, që goditi grupin kriminal Çopja.
Sipas SPAK, Stafa dyshohet se ka pastruar para për llogari të këtij grupi, duke përdorur si skemë shitblerjen e automjeteve. Autoritetet shqiptare kanë nisur tashmë procedurat për ekstradimin e tij drejt Tiranës.
Stafa është një nga 33 personat e identifikuar si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Çopja, me bazë në Elbasan dhe degë të shtrira deri në Dubai. Grupi dyshohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim, trafik droge, vjedhje dhe pastrim parash.
Hetimet e thelluara nga SPAK, të mbështetura nga komunikimet e përgjuara në platformën e enkriptuar “SkyECC”, zbardhën gjashtë ngjarje të rënda kriminale. Ndër to përfshihet masakra e Bradasheshit, ku u vranë tre persona, mes tyre vëllai i Erjon Alibejt, si dhe atentatet ndaj Andi Zylyfit, Klevi Brahos dhe Klevis Kapllanit.
Njëri prej figurave kyçe të këtij grupi është Franc Çopja, i njohur edhe me nofkën “Sakati”, së bashku me vëllezërit e tij Hajdar Çopja dhe Ervin Bako (alias Çopja), që dyshohet se kanë udhëhequr organizatën nga jashtë Shqipërisë.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit të siguruar nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u kap në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi A. S. alias A. S., 36 vjeç, i lindur në Elbasan.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas akuzohet në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, se në bashkëpunim me të tjerë, ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç. (vëllezër), të përfituara nga veprimtari kriminale.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Abu Dhabi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri. Versus.al







