GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj, të arrestuar pas finalizimit të operacionit të koduar “Hawala”, i zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, të arrestuarit janë pjesë e një grupi kriminal që vepronte nga Zvicra në Shqipëri, duke u përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
Në kuadër të hetimeve është arrestuar në Zvicër edhe një tjetër i dyshuar, Ervis Ferizaj, bashkëpunëtor i afërt i tyre.
SPAK bën me dije se tre të arrestuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë që jetojnë në Luzern, Zvicër, kanë zhvilluar aktivitet të paligjshëm në trafik ndërkombëtar droge dhe kanë ngritur një skemë financiare të quajtur “Hawala”, përmes së cilës kanë transferuar shuma të mëdha parash nga Zvicra drejt Shqipërisë për një periudhë prej të paktën pesë vitesh.
Hetimet janë në vijim dhe priten zhvillime të mëtejshme në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare. /Versus.al/







