AKTUALITET /

Pengmarrësit e biznesmenit Meçe pjesë e grupit Çopja/ SPAK: Makina në emër të Endri Merkaj dhe kompanisë “Merkaj 3”

Shkruar nga Versus
Pengmarrësit e biznesmenit Meçe pjesë e grupit Çopja/
Gerond Mece/ Ergys Agasi

Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar hetimet për pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe, duke identifikuar personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se automjeti tip Land Rover, me të cilin u rrëmbye Meçe për disa orë, është në pronësi të shoqërisë “Merkaj 3 shpk”, e administruar nga Endri Merkaj.

Sipas hetimeve, Endri Merkaj dhe vëllai i tij dyshohet se përbëjnë trupin financiar të klanit kriminal Çopja, i cili vepron kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, ata rezultojnë të lidhur me interes me shtetasit Arjan Ormenaj dhe Arben Lamçe, persona të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Në dosjen hetimore evidentohet edhe fakti se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Ergys Agasit, një prej personave në kërkim, janë gjetur kontrata shitblerjeje të pasurive të paluajtshme me rezervë kalimi pronësie, ku Arjan Ormenaj figuron si përfaqësues i njërës prej palëve kontraktore.

Dyshimet se pas pengmarrjes së Gerond Meçes qëndrojnë anëtarë të këtij grupi kriminal nga Elbasani përforcohen edhe nga dëshmia e vetë biznesmenit. Ai ka deklaruar se dy prej autorëve flisnin me dialekt të zonës së Elbasanit dhe se njëri prej tyre i kishte thënë se, po ta takonte në Elbasan, do ta përshëndeste.

SPAK ka kryer disa kontrolle në zonën e Elbasanit, por deri më tani pa rezultate konkrete. Ndërkohë, hetimet për dosjet korruptive të AKSHI janë zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë, të cilët dyshohet se kanë përfituar drejtpërdrejt fonde publike.

Për këtë çështje, e cila po hetohet nga prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani, vijojnë të jenë në kërkim dy drejtues të dyshuar të grupit kriminal: Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri./ Versus.al

Poll