
Gazetarja dhe moderatorja e njohur Eni Vasili është zgjedhur në krye të Radio Televizionit Shqiptar për 5 vitet e ardhshme pasi arriti të siguronte 7 vota nga anëtarët e këshillit drejtues.
Ky ishte raundi i dytë i zhvilluar pasi ditën e djeshme, asnjë prej kandidatëve nuk mori 7 vota që do të përbënte shumicën e anëtarëve të këshillit. Në këtë raund ishin në garë vetëm 3 kandidatët më të votuar, Eni Vasili, Xhoi Jakaj dhe Ëngjëll Musai.
Në këtë mënyrë plotësohet edhe vakanca 8 mujore në drejtimin e RTSH pas dorëheqjes së Alfred Pezës në shtator të vitit të kaluar, kur u publikuan edhe mesazhet të cilat tregonin ngacmimet e tij ndaj gazetares Blerta Tafani.
Gara për kreun e RTSH më pas u shoqërua nga akuza të vazhdueshme për paligjshmëri të procesit dhe mungesë transparence, gjë që detyroi komisionin e Medias në Kuvend të kërkojë ndërprerjen e garës.
Me të dëgjuar përplasjet e kreut të këshillit, Leka Bungo me anëtarët e tjerë lidhur me ngërçin e krijuar dhe debatin mbi drejtoreshën në detyrë Aurora Polon, Kuvendi shkriu këshillin drejtues dhe emëroi anëtarë të rinj. Me rinisjen e procesit të kandidimit, 12 kandidatë morën pjesë në garë, prej të cilëve, Vasili arriti të merrte mbështetjen më të madhe. Versus.al








