Një tjetër grup i rrezikshëm kriminal ka rënë në rrjetën e SPAK, pas një hetimi të thelluar që ka zbuluar një skemë të gjerë tjetërsimi pronash në bregdetin e Durrësit, të shoqëruar me plane për eliminimin fizik të kundërshtarëve.
Në qendër të kësaj strukture kriminale qëndron Aleksandër Laho, i njohur me nofkën “Rrumi”, i cili akuzohet për përvetësim të paligjshëm të një numri të madh pronash, të cilat më pas i përdorte si monedhë shkëmbimi për të blerë besnikëri dhe për të urdhëruar vrasje.
Në aktet hetimore të SPAK, zbardhen përgjime të bisedave mes Lahos dhe Elidon Avdylit, i njohur si Aldo Avdyli, ku qartësohet qëllimi: eliminimi i tre emrave të njohur të botës së krimit në Durrës – Lulzim Berisha, Edmond Koçi (Mond Çekiçi) dhe Plarent Dervishaj.
Në një bisedë të datës 14 shtator 2020, Rrumi i shkruan Aldos:
“Kta e xhirojnë lojen e qytetit… te tjeret pastaj jan pasiva… te pa rencishem”.
Duke e mbështetur, Aldo i përgjigjet:
“Po je fiks fare e vlla… Kjo esht sta fut njeri ty për terren… e për men… Po ka maru, ata jan… Po Lul Çeke them un… Lulit… i bim direct… Ai e don… Vetëm venose ti”.
Në bisedë, Laho më pas sugjeron që të nisë me Edmond Koçin (Mond Çekiçin), pasi sipas tij, ai është “truri në terren” i grupit rival:
“Heqim Mondin të parin… se ai është menja e tyre në rrugë”.
Më tej, Aldo Avdyli shton se planet për eliminime janë të shumta:
“O vlla, duhen 10 viktima mrena vitit… Po na erdhi ky Rama kty… e zbejm dot shum dome… se do na fiki…”
Në këtë pikë, përfshihet edhe politika në diskutim. Aldo i kujton “Rrumit” se kryeministri Edi Rama do të kandidojë për deputet në Durrës, çka mund të prishë planet e tyre.
Laho i përgjigjet:
“Ajo më ka djeg shumë dhe mua… Rama… Po erdhi aty na paralizoi pak… E kam mendu direkt që atë ditë që e mora vesh”.
Për të siguruar bashkëpunimin e Avdylit, Aleksandër Laho i ofron si shpërblim sipërfaqe të mëdha pronash luksoze në bregdet – prona të përfituara përmes falsifikimeve, tjetërsimeve dhe lidhjeve me zyrtarë vendorë.
SPAK ka goditur strukturën kriminale që drejtohej nga Laho, në të cilën bëjnë pjesë edhe: Vëllai i tij, Vullnet Muça, Shoferi Agron Bejdolli, Vlash Brahja, si dhe persona të tjerë me role të ndara.
Hetimi hodhi gjithashtu dritë mbi vrasjen e Edmir Bregut, një krim që dyshohet se është kryer për motive hakmarrjeje dhe është urdhëruar nga Astrit Avdyli dhe Aldo Avdyli.
Në këtë vrasje, dyshohet të jetë përfshirë edhe Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume, një tjetër hallkë që SPAK po heton për rolin dhe dijeninë e tij në ngjarje.
Hetimet vijojnë ndërsa SPAK ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive dhe është në ndjekje të çdo lidhjeje që çon drejt zbulimit të bashkëpunëtorëve institucionalë që mund të kenë lehtësuar skemat kriminale në Durrës.







