
Prokuroria e Posaçme ka reaguar për pretendimet e publikuara se po përgjon anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në reagimin e SPAK thuhet se asnjë prej anëtarëve të institucionit nuk është nën hetim dhe për rrjedhojë nuk është kryer asnjë veprim i pretenduar.
Sipas prokurorisë, çdo deklaratë e tillë bëhet në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar SPAK-un.
"Në përgjigje të disa kërkesave tuaja, ju bëjmë me dije se:
1.Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.
2.SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.
Deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme.
Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar"- thuhet në reagim. Versus.al
