AKTUALITET /

“Të zhdukim me acid”, dëshmia e personit që u dh*nua nga vëllai i deputetit të PD e 2 të tjerë: Buçi më fiku cigaren në ballë

Akti i ekspertizës ka provuar se në trupin e të dhunuarit Ilir Topçiu ishte fikur cigare e ndezur.

Shkruar nga Versus
“Të zhdukim me acid”, dëshmia e personit që u dh*nua
Alti Nallbati, Marsel Buçi dhe deputeti i PD, Bledion Nallbati

Në tetor të këtij viti në Korçë u raportua një pengmarrje e shtetasit Ilir Topçiu i cili pretendonte se ishte rrëmbyer dhe dhunuar brutalisht nga Alti Nallbati (vëllai i deputetit të PD Bledion Nallbati) dhe dy persona të tjerë të identifikuar si Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, të cilët njihen si problematikë të zonës.

Të tre u arrestuan dhe po mbahen në paraburgim me afat 40 ditor, ndërsa familjarët e tyre po negociojnë për pajtim me denoncuesin e dhunuar të cilit i kanë kërkuar të tërheqë kallëzimin dhe të firmosë deklaratë për normalizimin e marrëdhënieve me 3 dhunuesit.

Ndërkohë së fundmi janë publikuar detaje nga dosja penale e ngjarjes së ndodhur. Tre të arrestuarit kishin dyshime se Topçiu i kishte spiunuar tek shefi i krimeve në komisariatin e Bilishtit duke sjellë arrestimin e Ylli Xhaçkës për drejtimin e makinës pa patent.

Fillimisht për këtë shkak, njëri prej të arrestuarve, Trajan Çeliku ka shkuar në fshatin Vishocicë për të marrë me makinë Ilir Topçiun i cili ndodhej në arrest shtëpie. Preteksti ka qenë se do e ballafaqonte me shefin e krimeve, mirëpo një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë dhe Topçiu përfundoi në magazinën e Altin Nallbatit i njohur si “Duçja” në Devoll.

Sapo është gjendur para 3 personave, Ilir Topçiu është dhunuar brutalisht derisa ka humbur ndjenjat. Në rrëfimin e bërë në polici, ai ka treguar se sapo ishte përmendur, Marsel Buçi i kishte fikur cigaren në ballë duke i thënë se: “..do e vriste, do e zhdukte me acid”. Ky pretendim i të dhunuarit për fikjen e cigars në ballë, është vërtetuar edhe nga akti i ekspertimit.

Sipas dosjes hetimore të siguruar rezulton se në 30 tetor 2025, rreth orës 22:50, para oficerit të policisë gjyqësore ka bërë denoncim, Ilir Topçiu, i cili ka deklaruar si më poshtë vijon:

“…ditën e diel ose ditën e hënë, mesa mbaj mend më ka marrë një shoku im në telefon në messenger, i cili quhet Trajan Çeliku. Gjatë bisedës më ka thënë që ti je spiun pasi na ke shitur informacion tek shefi i krimeve në Komisariatin e Bilishtit, për shtetasin Ylli Xhaxhçka i cili është proceduar penalisht pasi ka drejtuar automjetin pa leje drejtimi. Pas bisedës më thotë dil te sheshi i fshatit për tu sqaruar bashkë me shefin e policisë…”-ka treguar në polici i dëmtuari Ilir Topçiu. Ky i fundit tregon se ishte mashtruar nga Çeliku të cilin e konsideronte shok.

“…Trajan Çeliku, ka ardhur dhe më ka marrë me makinë për të më ballafaquar me shefin e Krimeve. Edhe gjatë qëndrimit në makinë kemi diskutuar punën e spiunimit. Mirëpo më ka mashtruar, pasi nuk më çoi tek policia (tek shefi) por më dërgon me makinë tek lagjia që ndodhet mbrapa karburant “Gega Oil”, ku u futëm me makinë në ambientet e brendshme të shtetasit Altin Nallbati alias “Duçja”. Aty brenda ndalon makinën dhe unë zbres. Sapo zbres Altin Nallbati, menjëherë më ka goditur me grusht dhe me ka thënë ofendime të rënda, duke më goditur me shkelma pa fund…”.

Më tej i dëmtuari ka treguar se:

“…në momentin që po më godisnin nuk po ndjehesha mirë. Mu errën sytë dhe isha pa ndjenja pasi kisha dhimbje të mëdha. Mesa mbaj mend këto shkelma dhe grushta kanë zgjatur rreth 10 minuta pasi unë nuk po mbushesha me frymë. Kur mora pak veten pashë Marselin, i cili po pinte cigare dhe cigaren ma ka vendosur në ballë, duke ma fikur atë. Ky moment ishte një tmerr i vërtetë. Më pas, Marsel Buçi, më është drejtuar duke më thënë: “…ik qërohu nga këtu…”. Herë tjetër do të të djeg me acid, nuk ke shpëtim. Unë duke çaluar dhe me dhimbje të mëdha nga frika e kërcënimeve me jetë që mora nga këta persona, u nisa në këmbë në shtëpinë që kam në fshat dhe nuk kam folur me asnjë person për tre ditë. Për shkak të frikës se mos më vrasin nuk e kam kallëzuar më parë këtë ngjarje. Në momentin që jam goditur të pranishëm kanë qenë Altin Nallbati që njihet me pseudonimin “Duçja” dhe dy shokët e tij, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku. Të tre këta pesona i njoh pasi kam ndenjur me ta në disa raste. Theksoj se Trajani më ka marrë duke më gënjyer, Marseli më ka goditur dhe më kanë sharë dhe ofenduar, duke më fikur cigaren në ballë. Të tre këta shtetas si “Duçja”, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, më kanë rrahur, kërcënuar në ambjentet e biznesit të Altin Nallbatit.

Vëllai i deputetit ishte përfshirë edhe në një sherr fizik të ndodhur para zgjedhjeve të 11 majit në Devoll, ku i pranishëm ishte edhe ligjvënësi i PD Bledion Nallbati. Versus.al

Poll