AKTUALITET /

Të dënuar me 35 vite burg për vr*sjen e ish-policit, Gjykata e Lartë prish vendimin për 2 anëtarët e klanit Duka

Për vrasjen e Malkos po zhvillohet edhe një gjyq ndaj Leonard Dukës i cili u ekstradua nga Belgjika në gusht të vitit 2024.

Shkruar nga Versus
Të dënuar me 35 vite burg për vr*sjen e ish-policit, Gjykata e
Viktima, Santiago Malko dhe njëri prej autorëve, Elvis Gaçaj

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin për Ilir Selmanin dhe Elvis Gaçajn, të dy të dënuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko të ndodhur në gusht të vitit 2019.

Ilir Selmani është dënuar me 28 vite burg ndërsa Gaçaj me 7 vite burg, të akuzuar si pjesëmarrës në grupin kriminal që vrau Malkon. Për këtë vrasje po zhvillohet edhe një tjetër proces gjyqësor në GJKKO ndaj Leonard Dukës të dyshuar si kreun e grupit kriminal që hoqi qafe ish-policin.

Pas prishjes së vendimit, dosja ndaj dy të dënuarve do të kthehet për rigjykim. Vendimi u dha në dhomë këshillimi nga treshja penale Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Medi Bici.

Kujtojmë se Ilir Selmani u dënua në 16 nëntor të vitit 2023 me vendim të formës së prerë me 28 vite burg, ndërsa vendimi i Shkallës së Parë për Elvis Gaçajn për dënimin e tij me 7 vite burg, u prish në atë kohë nga Apeli i Posaçëm, i cili vendosi të rikthente edhe njëherë çështjen për rigjykim në GJKKO.

Ndërkohë, Leonard Duka i cili u ekstradua nga Belgjika në gusht të vitit 2024 për t’u përballur me akuzat që rëndojnë drejt tij, ndodhet në fazën përfundimtare të mbrojtjes. Ai mohon që të ketë patur lidhje me ngjarjen ku u vra Santiago Malko edhe pse bisedat e publikuara mes tij dhe biznesmenit të zhdukur Ervis Martinaj flisnin për një hakmarrje të tij për shkak se Malko i kishte dhunuar babain. Versus.al

Poll