Një prej dosjeve më të ndjeshme të SPAK, që lidh botën e krimit me njerëz pranë pushtetit politik, ka nxjerrë në dritë të dhëna tronditëse për vrasjen me paramendim të Edmir Bregut, i njohur edhe si Ilir Kuçi (Maloku), ngjarje e ndodhur më 24 janar 2021 në qytetin e Durrësit.
Sipas dosjes së siguruar nga Versus.al, vrasja është rezultat i një plani të mirëorganizuar kriminal, me urdhërues, financues, vëzhgues dhe ekzekutorë të përfshirë në çdo hallkë të zinxhirit të krimit. Në mesin e emrave të identifikuar, bie në sy edhe Enea Kume, vëllai i deputetit socialist të Durrësit, Loer Kume, i cili sipas hetimeve, ka luajtur rolin e vëzhguesit dhe bashkëpunëtorit në dijeni të plotë për përgatitjet e krimit.
Vrasja e Edmir Bregut: Plani dhe ekzekutimi
Më 24 janar 2021, rreth orës 17:15, në lagjen nr. 16 të Durrësit, pranë lokalit të shtetasit Fatmir Kazazi, persona të armatosur që udhëtonin me një mjet tip Renault, ngjyrë e zezë, hapën zjarr ndaj Edmir Bregut, duke përdorur një armë automatike model 56, kalibër 7.62 mm.
Në vendngjarje u sekuestruan 54 gëzhoja dhe një predhë, ndërsa Bregu ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Prokuroria e Durrësit regjistroi procedimin penal për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, ndërsa më vonë, çështja u bashkua me një hetim më të gjerë të SPAK për një strukturë të organizuar kriminale.
Struktura e grupit dhe rolet e ndara
Sipas dosjes, krimi është organizuar nga një rrjet ku përfshihen emra të njohur të botës së krimit në Durrës dhe më gjerë:
Elidon Avdyli (Aldo Avdyli) – Porositës, financues dhe organizator i vrasjes
Astrit Avdyli (xhaxhai i Elidonit) – Bashkë-urdhërues
Ermir Dedja – Ekzekutor dhe koordinator në terren
Alfred Doka – Vëzhgues dhe bashkë-ekzekutor
Enea Kume – Vëzhgues dhe person në dijeni të plotë për organizimin e vrasjes
Aleksandër Laho (Rrumi) – Në dijeni të planit kriminal dhe kontakt mbështetës

Roli i Enea Kumes dhe lidhjet e tij me “Rrumin”
Enea Kume, sipas hetimeve, ishte i përfshirë drejtpërdrejt në ndjekjen e viktimës dhe në koordinim të veprimeve me Elidon Avdylin dhe Ermir Dedjën. Ai rezulton përdorues i dy profileve në aplikacionin Sky ECC, një platformë që grupet kriminale përdornin për të komunikuar në mënyrë të koduar.
Në komunikime të datës 2 korrik 2020, Kume shfaqet i shqetësuar për mundësinë e zbërthimit të aplikacionit EncroChat dhe ndikimin që kjo do të kishte në ekspozimin e tyre penal.
Ai shkruan: "Po ca pune do na dali me enkron... Ne që s’na janë kap në dorë për pi* motres kan ik... Ato janë, ça i kapin në dorë... Po ai ka maru pun e dak…"
Më tej, ai sugjeron të fshihen: "Bashkohemi, blejmë ca armë dhe rrijmë në mal, vëlla... S’ka zgjidhje tjetër..."
Përfshirja në trafik droge dhe komunikimi me Aleksandër Lahon
Nga hetimi del se Kume ishte nën hetim edhe për trafik droge. Në qershor 2020, gjatë një kontrolli në banesën e tij, policia gjeti një peshore me mbetje lëndësh narkotike dhe çelësa të një makine ku u zbuluan 10 qese plastike me drogë.
Në një komunikim më 22 qershor 2020 me Aleksandër Lahon (“Rrumi”), Enea Kume i kërkon ndihmë për situatën dhe përmend avokaten Liljana Tanko dhe një prokurore me emrin “Enkeleda”, që më pas u identifikua si prokurorja Enkeleda Xhonge.
Emri “Poci” dhe identifikimi në dosje
Enea Kume njihej me nofkën “Poci”, dhe ky emër përmendet në disa biseda ndërmjet Elidon Avdylit dhe të tjerëve, ku thuhet se Kume ishte shpallur në kërkim dhe nuk duhej ekspozuar në publik.
Në një rast, Elidon Avdyli thotë: “Poci o kërkim o dal. Ka 20 ditë.”
Një dëshmitar, Enio Duka, ka identifikuar Kumën si personin nga i cili kishte blerë lëndë narkotike, çka konfirmon përfshirjen e tij në veprimtari të paligjshme edhe përtej vrasjes së Bregut.
Takimet, koordinimi dhe shfaqja te “Rrumi”
Përmes komunikimeve në Sky ECC, del që Kume dhe Avdyli kanë koordinuar takime me Arben Merkurin (Skavo) dhe më pas janë takuar në banesën e Aleksandër Lahos, që sipas dosjes shërbente si pikë takimi e grupit kriminal.
Hetimet e SPAK: Një rrjet me ndikim dhe lidhje politike
SPAK ka dokumentuar jo vetëm organizimin e vrasjes, por edhe përpjekjet për fshehje, ndërhyrje dhe sigurim të mbështetjes ligjore nga aktorë që ende janë nën hetim për përfshirje apo favorizim të krimit të organizuar. Në bazë të të dhënave nga Franca dhe analizës së komunikimeve të Sky ECC, SPAK po vijon hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë, përfshirë zyrtarë vendorë dhe të drejtësisë, që mund të kenë ndihmuar në pengimin e drejtësisë apo sigurimin e mbrojtjes për anëtarët e grupit./ VERSUS /







