Trafikimi i grave të huaja nga shtete të huaja drejt Shqipërisë ku shfrytëzohen më pas për prostitucion, së fundmi është bërë një fenomen i zakonshëm në vendin tonë. Pothuajse çdo javë në ndonjë qytet të ndryshëm të Shqipërisë, goditet ndonjë bazë e tillë prostitucioni me shtetase nga Amerika Latine e deri në Kinë të cilat marrin banesa me qira ku më pas ushtrojnë veprimtarinë e paligjshme.
Rreth dy muaj më parë, u bë virale në media një histori e një vajze kolumbiane e cila pretendonte se kishte ardhur në Shqipëri për të punuar si kujdestare fëmijësh, por në vend të kësaj ra pre e një grupi ndërkombëtar të trafikimit të qenieve njerëzore. Vajza e quajtur me emrin “Andrés” për arsye sigurie, tha se ishte shfrytëzuar për disa ditë në Elbasan kundër dëshirës së saj dhe pretendoi se pasi policia zbuloi grupin dhe u vuajti dënimin me 9 muaj burg në Pogradec, u la në mes të rrugëve, nën rrezikun e një trafikimi tjetër të mundshëm.
Një prej problematikave kryesore që hasi ishte kthimi i sendeve të sekuestruara dhe pasaportës pasi duhej edhe 2-3 javë pas lirimit nga burgu që vendimi të merrte formën e prerë. Ajo u kthye në Kolumbi vetëm falë ndihmës së grupit të aktivistëve të “Drejtësi Sociale” pas shumë peripecish me organet ligjzbatuese shqiptare.
Gjendur në këto rrethana, lindin disa pyetje mbi rolin e autoriteteve që merren me këto raste të trafikimit. Në situatën kur e dënuara pretendon se ka qenë viktimë e rrjetit të trafikimit, nuk u mor asnjë masë për ta hetuar më tej rastin e saj, por u desh të vuante dënimin dhe vetëm një muaj pas lirimit të mund të kthehej në Kolumbi.
Në përgjigjien që Versus.al mori nga prokuroria e Elbasanit për këtë rast, thuhet se në kuadër të procedimit penal në 2024 janë marrë të pandehura 11 gra të huaja për ushtrimin e veprimtarisë së prostitucionit, ndërsa janë deklaruar fajtore 8 prej tyre me vendimin e datës 14 korrik të 2025-ës.
Përveç këtij informacioni, prokuroria e këtij qarku nuk ktheu asnjë përgjigjie lidhur me masat e ndërmarra për riatdhesimin e këtyre grave të trafikuara në vendin tonë dhe gjithashtu asnjë përgjigjie mbi hetimet në rastet kur këto gra të trafikuara pretendojnë se janë mashtruar për të punuar në vendin tonë.
Megjithatë Versus.al kontaktoi edhe ministrinë e Brendshme për të marrë informacionin e detajuar lidhur me viktimat e trafikimit të cilat pretendojnë se kanë rënë pre e shfrytëzimit për prostitucion. Pavarësisht kërkesës së drejtuar ministrisë së Brendshme dhe koordinatorit kombëtar për luftën kundër trafikimit të personave, përgjigjiet që morëm ishin thjesht proceduriale të cilat flisnin vetëm për kuadrin ligjor që rregullon luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Sa i takon rolit të policisë në identifikimin dhe trajtimin e viktimave, në dokument thuhet se është detyrë e organeve të policisë për të asistuar kthimin e viktimave në vendin e origjinës, gjë që nuk ka ndodhur me rastin e trajtuar më sipër.
“Planifikim dhe Mbështetje për Kthim Vullnetar të Asistuar është tërësia e veprimeve të ndërmarra nga punonjësit e institucioneve shtetërore dhe joshtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e personave të trafikuar në kufijtë, brenda dhe jashtë territorit të RSH-së, si ata të institucioneve vendore, ashtu edhe ata qendrore (në veçanti anëtarët e AP-së ) që bën të mundur kthimin e sigurt, vullnetar dhe të asistuar të një viktimë/viktimë të mundshme trafikimi me shtetësi të huaj në vendin e origjinës”- thuhet në dokumentin e dërguar me email nga ministria e Brendshme për Versus.al.
Gjithashtu listohen edhe një sërë institucionesh të cilat duhet të përcaktojnë nëse personi është viktimë e mundshme e trafikimit të personave, organe të cilat gjithashtu nuk kanë funksionuar në rastin e sipërpërmendur.
“Identifikim dhe Reagim Fillestar, është tërësia e veprimeve të ndërmarra nga punonjësit e institucioneve shtetërore dhe jo shtetërore, vendore dhe qendrore, përgjegjëse për mbrojtjen e personave të trafikuar në kufijtë, brenda dhe jashtë territorit të RSH-së, që përcaktojnë se një person i/e mitur apo i/e rritur është viktimë e mundshme e trafikimit të personave. Agjencitë/institucionet përgjegjëse, në kufijtë e RSH-së agjencia përgjegjëse për identifikim fillestar është Policia e Kufirit (të gjelbër dhe blu). Në territorin e RSH-së agjencitë përgjegjëse për identifikim fillestar janë agjencitë shtetërore dhe joshtetërore, përfshirë: KKSAT, qendrat e përkujdesjes shoqërore për persona në nevojë, organizatat me programe të ndihmës për persona në nevojë, zyrat rajonale të shërbimit social shtetëror në qarqe, strukturat e policisë së shtetit, inspektorati shtetëror i punës, shkollat dhe institucionet arsimore, institucionet e kujdesit shëndetësor, strukturat e shërbimeve sociale në bashki. Jashtë territorit të RSH-së, agjencitë/institucionet përgjegjëse për identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit me shtetësi shqiptare, janë punonjësit e përfaqësive diplomatike të RSH-së, si dhe agjenci të tjera shtetërore dhe joshtetërore me veprimtari në fushën e mbrojtjes së viktimave të trafikimit”- thuhet në dokumentin e hartuar për luftën kundër trafikimit të personave të huaj.
Në kërkesën që Versus.al ka drejtuar ndaj policisë së shtetit për të marrë përgjigjie mbi numrin konkret të grave të trafikuara dhe trajtimit të tyre nga institucionet përkatëse, nuk ka marrë asnjë lloj përgjigjie. Shqetësimet e ngritura vazhdimisht nga gra të huaja të cilat mund të jenë vërtet viktima të grupeve të tilla të trafikimit, bien në vesh të shurdhër pasi përveçse procedohen dhe dënohen, pasi kryejnë dënimin mbeten në ‘mëshirë të fatit’ pa një organizim konkret nga autoritetet shqiptare për t’i riatdhesuar. Versus.al







