Sot, një grup të rinjsh nga Europa dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan para Kryeministrisë për të shprehur kundërshtimin ndaj marrëveshjes për emigrantët që është arritur mes Shqipërisë dhe Italisë.
Aktivistët, përfshirë shqiptarë dhe të huaj, u mblodhën për të protestuar kundër kësaj marrëveshjeje, e cila parashikon ndalimin e emigrantëve nga vendet e treta në Shqipëri para se ata të riatdhesohen. Kjo nismë është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë të organizuar nga Rrjeti kundër Burgosjes së Emigrantëve, që paralajmëron për rrezikun e praktikave të tilla.
Sipas protestuesve, qasja e ndjekur në këtë marrëveshje paraqet një kërcënim për lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për azil, dy të drejta themelore për demokracinë europiane. Aktivistët kërkojnë rishikimin e politikave të tilla dhe përmirësim të kushteve për emigrantët, duke theksuar nevojën për respektimin e të drejtave të njeriut./Versus.al








