AKTUALITET /

Pse na duhen dyqanet fantazmë me mallrat e skaduar e përbërës të rrezikshëm, kur kemi Rossmann & Lala?! Një gjigand me emër ‘të jashtëm’, por me huqet e një marketi anonim

Brenda më pak se një viti ky subjekt rezulton me shkelje të rënda në sigurinë ushqimore.

Shkruar nga Versus

Pse na duhen dyqanet fantazmë me mallrat e skaduar e

Lehtësia e tregtimit të ushqimeve të skaduara, të kontaminuara dhe me rrezik të lartë për konsumatorin shqiptar, në kushtet e kontrolleve të pakta, jo rutinore dhe sidomos selektive, duket se ka prekur dhe brand-et e huaja që operojnë në Shqipëri. Rossmann & Lala si pjesë e gjigandit gjerman në tregun shqiptar, ka emër të huaj e reputacion të madh, por huqet e një marketi anonim në një lagje të humbur të Shqipërisë.

Jo thjesht ‘aksident’!

Nëse nga shpërndarësi kryesor nuk do të jepej alarmi se ushqimi për bebe “Beba Supreme”, ishte i kontaminuar me bakterin ‘Bacillus cereus’, importuesi dhe tregtari Rossmann & Lala do t’i kishte shitur të 1878 kutitë. Në fakt 744 prej tyre ishin shitur dhe konsumuar nga bebet 0-2 vjeç, në Kosovë dhe Shqipëri (jemi telash dhe për shqiptarët matanë kufirit).

Pas tërheqjes së mallit dhe masava të ndërmarra nga AKU, një tjetër alarm bie për një tjetër produkt që shitet në dyqanet e këtij zinxhiri:

AKU doli me njoftimin se ka urdhëruar menjëherë tërheqjen e biskotave gjermane “EnerBiO Dinkel Waffeln Natur”, të tregtuara në supermarketet “Rossmann & Lala”, si masë parandaluese e tejkalimit të nivelit të lejuar të mykotksinave,/toksina të mykut.

Sipas njoftimit të AKU-së, alarmi është dhënë fillimisht nga kompania gjermane “Dirk Rossmann GmbH”, e cila ka kërkuar tërheqjen parandaluese të produktit për shkak të pranisë së toksinave të mykut.

Pas kontrolleve të kryera, inspektorët e AKU-së e kanë gjobitur sërish subjektin për dy shkelje: mangësi në sistemin e gjurmueshmërisë dhe mospërmbushje të përgjegjësive të Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU).

Brenda më pak se një viti ky subjekt rezulton me shkelje të rënda në sigurinë ushqimore.

Por çfarë është mospërmbushja e përgjegjësive të Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU)?

Sipas ligjit për ushqimin biznesi OBU ka përgjegjësi direkte për sigurinë e produktit. Ai është i detyruar të verifikojë që ushqimi është i sigurt para se ta shesë, duhet të tërheqë menjëherë produktin nëse ka rrezik për konsumatorin dhe duhet të bashkëpunojë me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.

Mospërmbushje e këtyrë përgjegjësive quhet shitje produktesh të pasigurta ose të kontaminuara, mungesë kontrolli cilësie, ruajtje në temperaturë të gabuar, produkte të skaduara;
mungesë gjurmueshmërie (mosdije nga ka ardhur produkti), mosnjoftim i autoriteteve kur zbulohet rrezik, etiketa të pasakta,
mungesë higjiene, import pa dokumentacion të rregullt dhe
mosheqje nga tregu e një produkti të rrezikshëm.

Rossman Lala është gjobitur në të paktën 2 raste publike për të gjitha këto arsye duke u kthyer në një kërcënim serioz për konsumatorin dhe për atë të moshës zero vjeç.

AKU vijon ‘traditën’: Vendosim një gjobë, presim alarmin e radhës

Por ndonëse rastet e këtij subjekti janë të shpeshta dhe me risk të lartë sidomos dhe në moshat më vunerabël dhe lehtësisht të cënueshme siç janë të porsalindurit apo bebet, AKU ka vendosur të bëjë atë që e mban të sigurt: Të marrë masën më të lehtë, vendosjen e një gjobe dhe sekuestrimin e mallit të mbetur pa shitur! Por ndërkohë ky autoritet ka të drejtën dhe të pezullimit të aktivitetit, sidomos kur rastet përsëriten si dhe referimin e çështjes në prokurori kur bëhet fjalë për cenimin e jetës dhe shëndetit të konsumatorit.

Tani nënat e qindra bebeve që konsumuan ushqimin e marrë te ky subjekt dhe qindra të tjerë që kanë konsumuar produkte të tjera, tashmë të faktuara që kanë qenë të kontaminuar me përbërës të rrezikshëm, kanë një pyetje për AKU dhe Rossmann & Lala: A u është cënuar shëndeti? Çfarë duhet të ndodhë që AKU dhe institucionet shqiptare të hetojnë dhe të merren seriozisht me një rrjet gjigand që na ofrohet me standarde gjermane, por me kosto të larta në mirëqenien e fëmijëve tanë dhe tonën. Edhe jo vetëm!

Për të (mos) e mbyllur

Tek ambientet e kësaj kompanie mund të helmohesh, jo vetëm duke blerë. Një vit më parë në magazinën e paketimit të Rossmann & Lala në autostradën Tiranë-Durrës 6 punonjëse përfunduan në spital pasi shfaqën probleme respiratore dhe simptoma asfiksie gjatë punës.

Sipas dëshmive të tyre, kur hapën ambientin e magazinës ndjenë “një aromë të rëndë”, dhe pak më vonë nisën shqetësimet shëndetësore. Punonjëset u dërguan për trajtim në një spital privat nga menaxheri i kompanisë dhe pas ndihmës mjekësore, ato u larguan në banesat e tyre.
Gjithashtu asoskohe u raportua se aroma e rëndë ishte ndjerë edhe muaj më parë në po të njëjtin ambient.
Policia referoi materialet në Prokurori për hetim mbi kushtet e sigurisë në punë, ekspozimin e mundshëm ndaj gazrave ose kimikateve dhe respektimin e standardeve të sigurisë nga kompania.

Por sot një vit më pas, nuk ka asnjë raport zyrtar toksikologjik të publikuar, konkluzion final të Prokurorisë si dhe prova që identifikojnë substancën konkrete që shkaktoi incidentin e rëndë. Versus.al

Poll