Ramazan Rraja, një emër që ka zënë titujt e kronikave vitet e fundit për pak minuta la pas hekurat e qelisë – jo për liri, por për një arsye thellësisht njerëzore: për të vizituar nënën në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në një operacion të monitoruar nga forcat speciale, Rraja u shoqërua drejt banesës familjare në Fushë-Krujë, ku ndodhet nëna e tij e sëmurë. Siç raporton gazetarja Klodiana Lala, shtëpia u rrethua nga efektivë të armatosur rëndë, të cilët nuk lanë asnjë cep të pambuluar për gati 40 minuta, kohë gjatë së cilës Ramazan Rraja qëndroi pranë nënës së tij.
Ramazan Rraja, djali i Xhelal Rrajës dhe nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, është i përfshirë në një nga çështjet më të bujshme të drejtësisë shqiptare: atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Rraja, sot 30 vjeç, ndodhet në paraburgim si një nga të dyshuarit kryesorë për këtë ngjarje që tronditi vendin për shkak të vrasjes së Andi Malokut, shoferit të Arjan Ndojit.
Ramazan Rraja ishte në kërkim ndërkombëtar kur u arrestua më 19 prill 2023, në një lokal në Fushë-Krujë. Ndaj tij ishte lëshuar më herët masa e arrestit me burg në mungesë, si pjesë e hetimeve për atentatin ndaj Ndojës.







