Një tjetër rast shqetësues dhune ndaj fëmijëve është raportuar në kopshtin privat “Gledis” në zonën e Astirit në Tiranë, institucion i cili vetëm disa muaj më parë u përfshi në një skandal publik pas publikimit të një videoje ku edukatorja Rudina Gërdani dhunonte fëmijët e vegjël. Rasti i mëparshëm shkaktoi reagim të fortë nga publiku, duke nxitur protesta dhe ndërhyrjen e organeve ligjzbatuese, ndërkohë që Gërdani u shpall në kërkim nga policia.
Rasti i sotëm është denoncuar nga një nënë, e cila pretendon se djali i saj është kthyer në shtëpi me shenja të dukshme në fytyrë, veshë, sy dhe fyt. Sipas saj, shenjat janë rezultat i një sherri mes fëmijëve, gjatë të cilit stafi i kopshtit nuk ka ndërhyrë në kohë për të ndalur situatën.
Në denoncimin e saj, e publikuar nga portali JOQ, nëna ka dërguar edhe një foto të të birit, ku duken qartë njollat dhe hematomat në fytyrën e tij. Ajo akuzon institucionin për neglizhencë të rëndë dhe mungesë mbikëqyrjeje.
“Është e papranueshme që një fëmijë të pësojë dhunë në një institucion që ka për detyrë ta mbrojë, ta edukojë dhe t’i garantojë siguri. Asnjë reagim nga personeli për disa minuta. Fëmija im nuk është kthyer nga një ambient edukimi, por nga një vend rreziku,” – ka thënë nëna.
Rasti ka rindezur debatet për sigurinë e fëmijëve në institucionet parashkollore, veçanërisht ato private, dhe ka shtuar presionin mbi institucionet përgjegjëse për monitorimin e tyre.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga drejtuesit e kopshtit “Gledis” lidhur me rastin e fundit, ndërsa nuk dihet nëse policia apo Inspektorati Shtetëror i Arsimit kanë nisur hetime mbi këtë incident. /Versus.al







