AKTUALITET /

Rreth 380 të dënuar pritet të lirohen, ja kategoritë përfituese

Shkruar nga Versus

Rreth 380 të dënuar pritet të lirohen, ja kategoritë

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka dhënë detaje të plota mbi amnistinë penale të fundvitit, duke sqaruar kategoritë përfituese dhe kriteret mbi të cilat është ndërtuar kjo nismë.

Ministri Lamallari theksoi për Euronews Albania se përzgjedhja e kategorive është bërë me kujdes, me qëllim që të mos cenohet siguria publike, por njëkohësisht të ndiqet një qasje humane dhe e drejtë ndaj personave me rrezikshmëri të ulët shoqërore.

“Kriteri që ka udhëhequr këtë amnisti ka qenë rrezikshmëria e ulët shoqërore”, u shpreh Lamallari. Sipas tij, për burrat përfitojnë ata që janë të dënuar me vendim të formës së prerë deri në tre vite burg, ose ata me dënime mbi tre vite, por që kanë tre vite ose më pak të mbetura për të shlyer, për sa kohë nuk janë dënuar për vepra të përjashtuara nga amnistia, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Sa i përket grave, përfitojnë ato të dënuara deri në katër vite burg, si dhe ato me dënime më të gjata, por që kanë deri në katër vite të mbetura pa vuajtur. Po ashtu, përfituese janë edhe gratë e dënuara mbi moshën 50 vjeç në momentin e hyrjes në fuqi të amnistisë, si dhe burrat e dënuar mbi moshën 60 vjeç.

Një kategori e veçantë, sipas ministrit, janë edhe të miturit. “Kemi treguar një akt humanizmi për një kategori shumë vulnerabël. Të gjithë personat nën moshën 18 vjeç do të lirohen, duke përjashtuar veprat me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, tha Lamallari.

Ndërkohë, sipas Euronews, i cili ka siguruar pjesë nga drafti paraprak i amnistisë penale, sipas të cilit pritet që rreth 380 të dënuar të lirohen menjëherë, ndërsa afro 1.300 persona të tjerë të përfitojnë ulje të dënimit.

Drafti parashikon përfitime për:

burra të dënuar deri në 3 vite burg ose me deri në 3 vite dënim të mbetur;
gra të dënuara deri në 4 vite burg ose me deri në 4 vite dënim të mbetur;
gra të dënuara mbi 50 vjeç;
burra të dënuar mbi 60 vjeç.

Sipas parashikimeve, efektet e kësaj amnistie pritet të hyjnë në fuqi në fund të muajit janar ose në fillim të shkurtit, pas përfundimit të diskutimeve dhe votimit në Kuvend.

Poll