Zona “Arrat e Gurrës” në fshatin Dragostunjë të Librazhdit vazhdon të përballet me probleme serioze infrastrukturore dhe mungesë qetësie. Segmenti rrugor, i cili pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, pësoi një tjetër dëmtim të rëndë.
Ky incident e bën rrugën të pakalueshme dhe rrit rrezikun për çdo kalim, duke përfshirë edhe këmbësorët, të cilët janë ndaluar të qarkullojnë në atë zonë. Rruga dytësore, e hapur për kalim provizor të mjeteve, ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje të një sipërfaqeje të madhe toke, ndërsa makinat e firmës janë larguar për shkak të frikës së dëmtimeve të mëtejshme.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm në ditët e fundit për shkak të rrëshqitjeve të tokës dhe dëmtimit të urës, duke rritur rrezikun për çdo lloj qarkullimi.
Bllokimi i këtij segmenti vazhdon të shkaktojë probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe në lidhjen mes zonave, duke theksuar nevojën për një zgjidhje infrastrukturore afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Specialistët paralajmërojnë se terreni në këtë zonë mbetet shumë i paqëndrueshëm, gjë që e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë./Versus.al

