
Një konflikt i dhunshëm mes një çifti në orët e para të mëngjesit ka çuar në zbulimin e një rasti të dyshuar të shpërndarjes së kokainës në Senigallia të Italisë. Protagonist i ngjarjes është një shtetas shqiptar 41 vjeç, i cili përfundoi në pranga pas ndërhyrjes së policisë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00, kur fqinjët, të shqetësuar nga zhurmat dhe përplasjet jashtë banesës, njoftuan menjëherë policinë në Ankona. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën çiftin në gjendje të rënduar emocionale, ndërsa debati mes tyre vijonte.
Gjatë kontrollit fizik, policia zbuloi rreth 5 gramë kokainë të ndarë në dy doza, të fshehura në mënyrë të sofistikuar brenda një pakete cigaresh të modifikuar. Ky detaj ngriti dyshime të forta për aktivitet të organizuar në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Hetimet u thelluan më tej me kontrollin e biçikletës elektrike që përdorte 41-vjeçari. Brenda çantës së saj u gjetën tre thika me dy tehe, rreth 30 cm të gjata, të cilat sipas policisë përbëjnë mjete të rrezikshme dhe potencialisht të përdorshme për sulm. Dyshohet se i riu kishte tentuar t’i fshihte ose t’i hidhte gjatë ndjekjes.
I dyshuari, i cili rezulton punonjës bashkie, u arrestua për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje dhe mbajtje të paautorizuar të armëve të ftohta. I gjithë materiali u sekuestrua nga autoritetet.
Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë para gjyqtares Giulia Casiello, 41-vjeçari, i përfaqësuar nga avokati Giuseppe Cutrona, mohoi akuzat për trafik droge, duke pretenduar se kokaina ishte për përdorim personal dhe se konflikti me partneren kishte ndodhur nën ndikimin e saj. Ai gjithashtu deklaroi se thikat i përdorte si pjesë e një hobi në natyrë.
Gjykata e konsideroi arrestimin të ligjshëm, por vendosi ndaj tij masën e detyrimit për paraqitje periodike. Hetimet vijojnë, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet më tej më 23 qershor para prokurorit Marco Pucilli.

