
Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal që ka ndodhur brenda një institucioni shtetëror, në godinën e Kadastrës së Dibrës.
Meleq Stojku ka denoncuar në emisionin investigativ se në datën 30 qershor 2025 ka shkuar në Kadastër për të marrë nga arkiva disa dokumente të vjetra, me qëllim për ta regjistruar dhe aplikuar. Ka shkuar në zyrën e arkivës te punonjësi Julian Lusha, duke debatuar me këtë punonjës dhe më pas disa punonjës të tjerë kanë ardhur dhe e kanë kapur me forcë, duke e nxjerrë nga zyra.
“Aty befas erdhën disa të tjerë nga mbrapa dhe më kapën me forcë. S’mbaj mend shumë detaje, po më nxorën nga dera dhe më përplasën në tokë. Të gjithë ishin punonjësit e Kadastrës. Më goditën edhe me shkelma dhe më nxorën në korridore. Më përplasën te kangjellat dhe aty unë kam thyer dorën”, thotë Meleq Stojku. Ai shton se në atë kohë drejtor ka qenë Danjel Gura.
“Se mbaj mend të më ketë goditur ky, po ka ardhur dhe më ka thënë dil jashtë. Aty erdhi edhe një Bledar dhe Juliani që më shtyu. Lajmërova policinë, më çuan në spitalin e Peshkopisë. Që aty kam ikur direkt në Spitalin e Traumës, kam qëndruar mbi 1 javë dhe kisha thyerje. Bëra operacion krahun”, thotë Meleqi. Më tej pohon se gjatë kësaj kohe, policia i dërgoi materialet në prokurorinë e Dibrës.
“Tani unë mësoj se e kanë mbyllur. E mbyllën që kur isha unë në spital. As kanë hetuar dhe asnjë gjë. Mbrojnë njëri tjetrin. Mua s’më kanë bërë ekspertim mjeko ligjor. Vetëm kanë marrë ato nga Spitali i Peshkopisë. As operacionin e asnjë gjë”, thotë ai.
Pas denoncimit, Fiks Fare shkon në Kadastrën e Peshkopisë. Fiksi tentoi të filmonte vendin ku denoncuesi theu krahun dhe u dhunua në ambientet e Kadastrës së Dibrës, në katin e tretë. Dera ishte mbyllur dhe asnjë punonjës nuk pranoi t’a hapë. Madje, gjatë kësaj kohe, shumë qytetarë nuk u lejuan në ato ambiente.
Në ato momente, Fiksi kontaktoi nëpërmjet telefonit me drejtorin aktual, Admir Krashi, për ta pyetur nëse është marrë ndonjë masë ndaj punonjësve. A janë pezulluar apo shkarkuar nga puna? Drejtori ktheu përgjigje, duke kërkuar t’i dërgonin një kërkesë me shkrim dhe brenda afateve do t’a shqyrtonin. Fiksi këmbënguli duke e pyetur se çfarë mase është marrë për rastin në fjalë.
Sërish, drejtori aktual ktheu një përgjigje se “për çdo informacion, paraqitni kërkesë me shkrim”. Në fund, ai tha se kërkesa duhet të jetë në rrugë postare! Disa minuta pas kësaj bisede, grupi i Fiks Fare bisedoi me një nga punonjësit e përfshirë, Julian Lushën.
E pyesim se përse e goditi dhe e qëlloi. Ai thotë se nuk e ka qëlluar, vetëm sa kanë debatuar. E pyesim disa herë për ngjarjen, teksa thotë se ka të njëjtin qëndrim që ka mbajtur edhe në polici e prokurori, që s’e ka goditur! Por, kush e goditi dhe i theu krahun?!
Fiksi shkon në Prokurorinë e Dibrës, pasi prokuroria e atij qyteti e ka pushuar me shpejtësi çështjen. Madje, kjo akuzë ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Vendimi është marrë nga prokurori Drini Zeqo, i cili është mjaftuar vetëm me deklarimet fillestare të denoncuesit gjatë kohës që ishte në Spitalin e Peshkopisë. Ky prokuror nuk urdhëroi asnjë riekspertim të gjendjes të Meleqit, për të parë se çfarë dëmtimesh kishte dhe në çfarë kategorie futen.
Prokuroria ka marrë në pyetje drejtorin Danjel Gjura, i cili ka pranuar se në atë datë ka dëgjuar një debat në zyrën e arkivës dhe ka parë denoncuesin teksa debatonte me punonjësin Julian Lusha. Por, Danjeli mohoi t’a ketë goditur vetëm sa e ka qortuar dhe i ka kërkuar që të dalë.
Kush e goditi dhe përse punonjësit mbrojnë njëri-tjetrin?!
Në vendimin e mosfillimit është marrë në pyetje edhe Julian Lusha, sebepi i sherrit. Ai ka thënë se Meleqi i shkoi në zyrë për disa dokumente nga arkiva, por ky i ka thënë se “bëj aplikim në e-albania”. Më tej sqaron se Meleqi e ka ofenduar duke i thënë se është i paaftë dhe në këtë moment drejtori Danjel Gjura ka shkuar dhe i ka kërkuar Meleqit të dalë nga zyra. Vetë Juliani thotë se nuk e ka parë që Danjeli ta ketë kapur apo shtyrë Meleqin.
Në pyetje është marrë edhe një punonjës tjetër, Bujar Nezha, i cili ka deklaruar se “Meleqi gjatë ikjes është penguar me shulin e derës kryesore dhe është rrëzuar”. Më pas e ka ndihmuar por s’ka parë drejtorin Danjel Gjura ta ketë goditur.
Por si e theu krahun?
Prokuroria e Dibrës nuk është thelluar në hetimin e kësaj çështje, por ka marrë vetëm informacion nga policia gjyqësore se Meleqi ishte dërguar në Spitalin e Traumës për mjekim, por pa probleme për jetën. Akuza shkruan se në ambientet e ASHK Dibër s’ka pasur kamera. Në fund, akuza shkruan se nuk mund të faktonin veprën penale “dëmtime të tjera me dashje” dhe qytetari duhet t’i drejtohej gjykatës.
Por, a nuk kishte shpërdorim detyre? Thyerja e krahut është dëmtim apo plagosje? Po nëse qytetari gjymtohej, ishte sërish dëmtim i lehtë?
Në fund Prokuroria e Dibrës vendosi që të mos regjistrojë procedimin penal. Gazetarët tentuan që të takonin prokurorin, por ai nuk dënjoi t’i priste. Nëpërmjet punonjësit, prokuroria tha se “flet vetëm me shkrim”.
Bisedë mes grupit të Fiks Fare dhe punonjësit të ASHK Dibër, Julian Lusha
Gazetari – Si kaluat, te Kadastra jeni?
Punonjësit – Jo, jo!
Gazetari – S’jeni?
Punonjësit – Jo.
Gazetari – Julianin donim!
Julian Lusha – Unë jam!
Gazetari – Ti je te Kadastra?
Julian Lusha – Po.
Gazetari – Te arkiva?
Julian Lusha – Po.
Gazetari – Ne na është drejtuar Meleq Stojku, për një problem që ka ndodhur në muajin qershor të vitit 2025, ju jeni konfliktuar edhe fizikisht.
Julian Lusha – Jo, fizikisht jo!
Gazetari – Ai ka edhe krahun e thyer, e ka me shufra hekuri. E keni shtyrë?
Julian Lusha – Jo s’bëhet llaf. Thjeshtë i kam thënë që t’a kërkoj përgjigjen te “e-Albania”.
Gazetari – Ju e keni shtyrë!
Julian Lusha – Jo, jo, jo.
Gazetari – Ai ka pllaka, na ka dërguar edhe grafi.
Julian Lusha – Jo, jo nc.
Gazetari – Ka vajtur çështja edhe në polici në mos gaboj.
Julian Lusha – Ok, po s’bëhet llaf që t’a kem shtyrë.
Gazetari – Po pse, për çfarë u konfliktuat?
Julian Lusha – Jo s’kemi pasur konflikt, kemi pasur thjesht debat që i kam thënë që je brenda … domethënë t’a bëj aplikimin online.
Gazetari – Më tha që më kanë shtyrë te shkallët, dy ose tre persona dhe ka pësuar një thyerje krahu.
Julian Lusha – Unë s’kam dalë fare nga zyra. Është 100 % e sigurt.
Gazetari – Po për çfarë u konfliktuat? Ky thjeshtë erdhi për të regjistruar pronën te llixhat.
Julian Lusha – Jo për të regjistruar, por për të marrë dokumente në arkiv. Pse s’po ia nxjerr dokumentet në arkiv.
Gazetari – Ishin dokumentet në arkiv?
Julian Lusha – Përgjigja merret në “e-Albania”.
Gazetari – E mori përgjigjen?
Julian Lusha – Besoj se duhet t’a ketë marrë se ka pasur.
Gazetari – Ai të ofendoi i pari, si ka qenë ai debati? Se ai pretendon se ju e keni goditur, e keni shtyrë.
Julian Lusha – Nuk bëhet llaf.
Gazetari – E keni nxjerrë te dera dhe e keni shtyrë.
Julian Lusha – Jo s’e kam nxjerrë fare unë.
Gazetai – Po kush e ka nxjerrë?
Julian Lusha – Unë thjeshtë kam ndëjtur në zyrën time dhe s’e kam prekur fare.
Gazetari – Kanë ardhur persona të tjerë?
Julian Lusha – S’e di, s’ka ardhur asnjë. Ai thjeshtë ka dalë. Po është 100 % e sigurt.
Gazetari – Ka kamera godina e Kadastrës?
Julian Lusha – Ka kamera vetëm dera e jashtme.
Gazetari – Po ku e theu krahun?
Julian Lusha – Nuk e di ku e ka thyer.
Gazetari – E ka thyer në vend tjetër?
Julian Lusha – Unë s’e kam prekur me dorë!
Gazetari – E kanë prekur personat e tjerë? Ti ke shkuar në polici, të kanë thirrur në polici e prokurori?
Julian Lusha – Kam dhënë deklaratë.
Gazetari – Për këtë ngjarje?
Julian Lusha – Të njëjtën përgjigje kam dhënë edhe në polici.
Gazetari – E dije që e ka thyer krahun Meleqi?
Julian Lusha – Jo s’e dija.
Gazetari – E mësove më mbrapa? Apo në polici?
Julian Lusha – Jo as në polici s’e kam mësuar, e kam mësuar më mbrapa kështu. Unë thjeshtë kam bërë debatin që dokumentet e arkivit s’duhet të dalin nga arkivi dhe kështu ka qenë çështja. Që t’a marrësh përgjigjen nga “e-Albania”. Ai filloi jo je i paaftë, je kështu e ashtu. Budallallëqe.
Gazetari – Po mirë, dakord. Debate mund të ketë, por për t’a shtyrë dhe për t’a qëlluar. Apo për t’a nxjerrë nga shkallët!
Julian Lusha – Nuk bëhet llaf për t’a shtyrë apo për t’a prekur.
Gazetari – Kanë ardhur persona të tjerë?
Julian Lusha – Jo s’kanë ardhur, ka dalë vetë.
Gazetari – Ka dalë vetë, i sigurt?
Julian Lusha – Po.
Gazetari – Po ti për këtë ngjarje vazhdon detyrën, nuk është marrë asnjë masë ndaj teje? As pezullim, as hetim e asnjë gjë?
Julian Lusha – S’kam, se unë thjeshtë i kam thënë që dokumentet mund t’i nxjerrë nga arkivi. Kaq!

