
Institucioni i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës ka hapur një procedurë prokurimi publik për ristrukturimin e strukturës organizative të shoqërisë, por një pjesë e specifikimeve teknike të tenderit ka ngritur pikëpyetje për natyrën e shërbimit të kërkuar.
Sipas dokumenteve të publikuara, më 20 korrik 2026 drejtori i UKT-së, Flauers Shoshi, ka shpallur procedurën me objekt “Ristrukturim dhe monitorim i vënies në zbatim të strukturës organizative të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë”, me fond limit 11 milionë lekë me TVSH dhe afat zhvillimi më 3 gusht.

Në dokumentacionin e tenderit argumentohet se qëllimi është riorganizimi i strukturës drejtuese dhe i burimeve njerëzore, me synim rritjen e eficencës së menaxhimit dhe garantimin e një furnizimi më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës.
Megjithatë, në procesverbalin për argumentimin dhe miratimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të kualifikimit, pjesë e shërbimit të kërkuar përfshin edhe vlerësimin neuropsikik dhe neurolinguistik të drejtuesve dhe punonjësve të UKT-së.
Sipas dokumenteve, procedura nuk kufizohet vetëm në hartimin e një strukture të re organizative, por përfshin edhe analizën e roleve dhe përgjegjësive, vlerësimin e kompetencave të stafit, hartimin e profileve të punës, menaxhimin e ndryshimit organizativ dhe mbështetjen gjatë zbatimit të strukturës së re.
Në specifikimet teknike përcaktohet se kontrolli psikometrik do të kryhet nga tre ekspertë të psikometrisë, të cilët do të vlerësojnë elementë si ngarkesa psikologjike, sjellja, qëndrimi, personaliteti dhe aftësitë mendore të drejtuesve dhe zyrtarëve për përmbushjen e detyrave të tyre.

Procedura është bërë publike në një kohë kur institucionet publike po aplikojnë gjithnjë e më shumë modele të riorganizimit administrativ, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat kompani do të paraqiten dhe cilat do të jenë rezultatet e këtij vlerësimi për strukturën drejtuese të UKT-së.
Në dokumentacionin e tenderit të hapur nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, përcaktohet se angazhimi i tre specialistëve justifikohet me numrin e lartë të punonjësve që do t’i nënshtrohen analizës dhe nevojën që procesi i vlerësimit të zhvillohet paralelisht në disa njësi organizative të shoqërisë.
Sipas specifikimeve, një prej ekspertëve do të jetë i fushës së neurolinguistikës, me detyrë të vlerësojë elementë që lidhen me etikën profesionale dhe nivelin e komunikimit të zyrtarëve. Ky vlerësim do të bëhet duke krahasuar rezultatet e matjeve neuropsikike me aftësinë e punonjësve për të përballuar ngarkesën dhe presionin në punë.
Procesi i kontrollit është planifikuar të zgjasë 5 muaj, nga shtatori 2026 deri në janar 2027.
Sipas dokumenteve, objektivi i këtij procesi është të sigurojë një analizë më të thelluar të kapaciteteve të stafit, në kuadër të ristrukturimit të strukturës organizative të UKT-së dhe përshtatjes së roleve me përgjegjësitë e reja./Versus.al

