
TIRANË – Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht lidhur me shpërthimin e ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën “Xhanfize Keko” në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 04:30 në një dyqan për shërbime interneti, në pronësi të shtetasit E. M. (Endri Meksi), ka shpërthyer një sasi e dyshuar lëndë plasëse.
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale në ambientin e biznesit, pa raportime për persona të lënduar.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Autoritetet bëjnë me dije se po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të mundshëm të këtij akti.

