
Një ngjarje e rëndë u shënua në Belgjikë ku babai i tre fëmijëve i identifikuar si Shpëtim Ajazi me origjinë shqiptare, u vra tragjikisht për një vend parkimi nga fqinji i tij më 25 gusht.
Mësohet se për vite me radhë, Shpëtim Ajazi, 43 vjeç, dhe fqinji i tij Renato F., 61 vjeç, debatonin për një vend parkimi në Machelen, në periferi të Brukselit.
Mediat belge bënë me dije se ky konflikt mes fqinjëve ka degjeneruar plotësisht mbrëmjen e së dielës, kur gjashtëdhjetë vjeçari ka qëlluar në kokë viktimën.
Për ngjarjen e rëndë kanë dhënë versionin e tyre fqinjët dhe dëshmitarët e pranishëm teksa thanë se kishin dëgjuar shpërthime dhe zhurma të forta.
“Unë dhe bashkëshorti im fillimisht menduam për fishekzjarre. Të rinjtë shpesh i shpërthejnë në rrugë, por pasi dëgjova më shumë zhurma të forta, shkova të shihja nga dritarja. Më pas pashë fqinjin tonë matanë rrugës, ne e quajmë ‘italiani’, me një armë në dorë”, tha një prej fqinjëve gjatë deklaratës.
Autori i vrasjes Renato F., është një hidraulik beqar 61 vjeç, i cili jeton në shtëpinë ngjitur me Shpëtimin. Nga trotuari, ai i kishte drejtuar armën fqinjit, i cili ishte ende në furgon, përpara se ta qëllonte në kokë. Babai i tre fëmijëve fatkeqësisht nuk arriti tu mbijetonte plagëve të marra.
Edhe kushëriri i tij 19-vjeçar, i cili gjithashtu ndodhej në makinën e tij, u qëllua me dy plumba, njëri në shpatull dhe tjetri në qafë. Ai ndodhet në spital në rrezik për jetën.
Sipas disa dëshmitarëve, pas të shtënave ka pasur panik total në lagje. Djali i madh 15-vjeçar dhe gruaja e Shpëtimit, të cilët ndodheshin në shtëpi në momentin e të shtënave, kanë dalë menjëherë në rrugët e mbushura me xhama të thyer dhe gjak. Sipas një familjari, edhe ato janë kërcënuar nga Renato F..
“Ai drejtoi armën drejt tyre, sikur të ishin shënjestrat e radhës. Aty e panë Shpëtimin në furgonin e tij. E panë të vdiste, është e tmerrshme”, dëshmoi Bashkim Ajazi, një kushëri tjetër i viktimës.
Pasi ka kërcënuar edhe një fqinj tjetër që ka tentuar ta qetësojë, autori i vrasjes ka ikur me BMV-në e tij, por policia arriti ta arrestojë shumë shpejt për veprat penale vrasje dhe tentativë vrasjeje.
Motivi është i qartë për hetuesit. Në fakt, dy fqinjët kanë vite që grinden për një vend parkimi. Të dyja familjet kanë disa makina dhe vendet janë të ngushta në rrugët e tyre. Madje, sipas një fqinji, policia ka ndërhyrë në disa raste për këtë arsye.
"Ata nuk e lanë kurrë mundësinë për të debatuar. Renatos do t'i ketë vluar gjaku kur pa Golfin e kushëririt të Shpëtimit të parkuar para furgonit të tij', tha fqinji.
Ndërkohë një kushëri tjetër i Shpëtimit, Bashkimi mbetet tejet mosbesues.
“Ne humbëm një anëtar të familjes për një arsye kaq absurde. A ishte vërtet kjo zgjidhja e vetme? A nuk janë më në gjendje të flasin njerëzit me njëri-tjetrin? Jemi zemërthyer”, tregon ai.

Përveç bashkëshortes dhe djalit të madh, Shpëtimi ka lënë pas edhe dy fëmijë të tjerë 13 dhe 5 vjeç. Dyzet vjeçari kishte punuar për 17 vjet në Consteca, një kompani suvatimi në Londerzeel.
“Ai ishte një punonjës besnik, askush nuk kishte asnjë problem me të”, thanë për viktimën kolegët e kompanisë.
Autori i vrasjes është marrë në pyetje nga policia të hënën(26 gusht). Ai do të dalë ditën e sotme para gjyqtarit hetues, i cili do të vendosë nëse do të mbetet ende në paraburgim. Shtëpia e tij si dhe ajo e viktimës janë rrethuar për zbardhjen e rrethanave të mëtejshme./ Versus.al







