AKTUALITET /

Si pastrohen paratë përmes ndërtimeve në Shqipëri/ Zbulohet si funksionojnë skemat e sofistikuara që legalizojnë paratë e ‘pista’

Në bashkëpunim me Njësitë e Inteligjencës Financiare në disa shtete të BE-së, është arritur të konfirmohet se shtetasi B dyshohet të jetë i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, dhe të ardhurat e përfituara janë përdorur për investime dhe legalizim përmes kësaj skeme komplekse.

Shkruar nga Versus

Si pastrohen paratë përmes ndërtimeve në Shqipëri/

Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) ka zbuluar një skemë të ndërlikuar dhe të sofistikuar të pastrimit të parave, përmes sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme në Shqipëri, që përfshin një rrjet individësh dhe kompanish me lidhje të dyshimta në disa shtete të Bashkimit Europian.

Sipas raportit vjetor të AIF, rasti përfshin një shtetase shqiptare, e identifikuar si “A”, rezidente në një shtet të BE-së, e cila në vitin 2021 investoi në blerjen e një trualli në Shqipëri me anë të një të afërmi të saj. Pasuria u ble për 90 mijë euro – një shumë dukshëm më e ulët se vlera reale e tregut.

Fondet për blerjen ishin depozituar në para cash, jo vetëm nga shtetasja A dhe familjarët e saj, por edhe nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi “B”, që rezulton të ketë lidhje të mundshme me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Vetëm dy muaj më vonë, shtetasja A nënshkroi një kontratë bashkëpunimi me kompaninë ndërtuese “Y”, duke vendosur truallin në dispozicion për zhvillim dhe duke përfituar apartamente nga ndërtimi. Një vit pas fillimit të këtij bashkëpunimi, ajo ia shiti truallin – tashmë të zhvilluar – së njëjtës kompani për rreth 2.2 milionë euro, duke shumëfishuar vlerën fillestare në mënyrë të pajustifikuar.

Skema vazhdoi me transferimin e shumës së përfituar në një shtet tjetër të BE-së, në llogarinë e një kompanie ndërtimi të sapokrijuar nga vetë shtetasja A, e quajtur “X”. Kjo kompani më pas lidhi kontratë me një kompani tjetër ndërtimi, “D”, e cila mori një pjesë të fondeve si pagesë për “shërbime ndërtimi”.

Si pastrohen paratë përmes ndërtimeve në Shqipëri/

Hetimet e AIF zbuluan se përfaqësuesi i kompanisë D kishte qenë më parë i punësuar në kompaninë Y në Shqipëri dhe është aksioner në një tjetër kompani ndërtimi në të njëjtin shtet ku operon shoqëria X, duke zbuluar lidhje të qarta ndërmjet të gjitha palëve të përfshira.

Në bashkëpunim me Njësitë e Inteligjencës Financiare në disa shtete të BE-së, është arritur të konfirmohet se shtetasi B dyshohet të jetë i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, dhe të ardhurat e përfituara janë përdorur për investime dhe legalizim përmes kësaj skeme komplekse.

Sipas AIF, rasti përmban disa nga indikatorët klasikë të pastrimit të parave, përfshirë:
• Depozitime të shumta në para cash në banka për blerjen e pasurive;
• Investime nën vlerën reale të tregut;
• Rritje të menjëhershme dhe të pajustifikuara të vlerës së pasurisë;
• Transferta ndërkombëtare në llogari të kompanive të lidhura;
• Lidhje direkte dhe tërthore mes individëve dhe kompanive të përfshira;
• Dyshime të forta për origjinë kriminale të fondeve të investuara.

Për shkak të natyrës ndërkombëtare të veprimtarisë dhe nivelit të organizimit të skemës, rasti është referuar për hetim pranë autoriteteve shqiptare të rendit dhe drejtësisë, si dhe është ndarë me partnerët ndërkombëtarë për veprime të mëtejshme ligjore. Burimi: Raporti i AIF /Versus.al/

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: