AKTUALITET /

Skandali me bursat amerikane, arrestohet 20 vjeçari që mashtroi ministrinë e Arsimit dhe qindra mësues e nxënës (EMRI)

I riu mashtronte mësues e nxënës duke u premtuar bursa studimi falas dhe udhëtime në SHBA.

Shkruar nga Versus

Skandali me bursat amerikane, arrestohet 20 vjeçari që mashtroi

Një skemë mashtrimi me premtimin për bursa amerikane falas, është zbardhur pas përfundimit të hetimeve 6 mujore të policisë së shtetit. Në pranga i akuzuar si organizator i kësaj skeme ka rënë 20 vjeçari Ermes Hoxhalli.

Sipas njoftimit të policisë, Hoxhalli mashtronte institucionet arsimore, madje edhe ministrinë e Arsimit me programet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24” duke u premtuar qindra nxënësve dhe mësuesve udhëtime dhe studime falas për në SHBA. Pre e kësaj skeme mashtrimi për të cilën muaj më parë ambasada e SHBA mohoi të kishte programe të tilla, kanë rënë zyrtarë të lartë ministrie, mësues dhe nxënës në të gjithë vendin. 

Njoftimi i plotë i policisë:

Më datë 22.07.2024, është arrestuar shtetasi Ermes Hoxhalli 20 vjeç, banues në Devoll.

Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar një masë sigurimi “Arrest në burg”, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

 Pas një hetimi gjashtëmujor, nga një grup hetimor i posaçëm, i përbërë nga oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe hetues nga Zyra e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës se Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zbuluar një skemë mashtrimi e organizuar nga shtetasi tashmë i arrestuari E. H., i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.

Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese"- thuhet në reagimin e policisë.

Për ngjarjen ka pasur edhe një reagim nga ambasada amerikane ku thuhet se 20 vjeçari i arrestuar kishte arritur të falsifikonte vulat e zyrtarëve të institucionit dhe në këtë mënyrë ka arritur të mashtrojë edhe zyrtarë të ministrisë së Arsimit. Versus.al

Poll