AKTUALITET /

Skandali me diplomat false, MAS pranon shkeljet pas raportimeve në VERSUS: Po ndiqen procedurat për mbylljen e veprimtarisë

Në reagimin e saj Ministria shprehet se nuk ka certifikuar kuota pranimi për kolegjin Wisdom si dhe po ndiqen procedura ligjore për mbylljen e veprimtarisë.

Shkruar nga Versus

Skandali me diplomat false, MAS pranon shkeljet pas raportimeve në VERSUS:

Ministria e Arsimit ka reaguar pas disa raportimeve në Versus.al në lidhje me skandalin e diplomave false të kolegjit Wisdom.

Në reagimin e saj Ministria shprehet se nuk ka certifikuar kuota pranimi për kolegjin Wisdom si dhe po ndiqen procedura ligjore për mbylljen e veprimtarisë pasi gjatë kontrollit janë gjetur shkelje ligjore gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM. 

Në dosjen me përgjime të prokurorisë së Tranit të zbardhur nga Versus.al tregohet me detaje se si pronari Wisdon blente dhurata për drejtoreshën e ASCAR, Shqiponja Telhaj, saktësisht një çantë 1200 euro si dhe dhurata për Krishtlindje për Ministren dhe vartësit e saj.

Reagimi i MAS: 

Ministria e Arsimit dhe Sportit, bazuar në aktet nënligjore në fuqi, të ligjit nr 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” ka nisur prej vitit 2022 dhe në vijim, procesin periodik të verifikimit të kontrollit të pajtueshmërisë së veprimtarisë të gjithë institucioneve të arsimit të lartë.

Në vijim të këtij procesi, për periudhën 2023-2024, MAS, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, përmes grupit të punës të ngritur për këtë qëllim, me përfaqësues të strukturave përgjegjëse të ministrisë, Agjensisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ka nisur verifikimin e pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar WISDOM.

Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi, dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.

Nënvizojmë se ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka çertifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM.

Pra Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndjekur jo vetëm me vëmendje, po edhe me hapa konkretë masash ligjore anomalitë e nxjerra nga inspektimet, duke siguruar mbrojtjen e  studentëve bazuar në dispozitat ligjore në fuqi. 

MAS mbetet e përkushtuar për të garantuar cilësi dhe transparencë në të gjitha aspektet e sistemit arsimor, duke garantuar se të gjitha diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë në vend janë në përputhje me standardet më të mira.

Por në reagimin e saj Ministria e Arsimit nuk ka sqaruar se si janë ndjekur procedurat e akredimit të lëshimit të diplpmave për të verifikuar nëse ka shkelje nga autoritetet shqiptare.

Gjithashtu në Shqipëri nuk ka asnjë të ndaluar për këtë skandal që ka çuar pas prangave nëntë persona në Itali dhe 40 të marrë nën hetim./Versus.al

 

 

Poll