AKTUALITET /

Sot duhej të mbërrinin emigrantët e parë nga Afrika, shtyhet hapja e kampeve në Gjadër e Shëngjin

Ambasadori italian gjatë inspektimit që bëri sot tha se kampi në Shëngjin është gati ndërsa ai në Gjadër përfundon brenda pak javësh.

Shkruar nga Versus
Sot duhej të mbërrinin emigrantët e parë nga Afrika, shtyhet
Rama me Melonin gjatë vizitës së saj në Gjadër

Temperaturat e larta janë bërë shkak për shtyrjen e hapjes së dy qendrave në Shëngjin e Gjadër për pritjen e emigrantëve afrikanë. Punimet u pezulluan për njëfarë kohe për shkak të temperaturave ekstreme, duke bërë që sot qendrat të mos ishin gati për pritjen e emigrantëve të parë pavarësisht se 1 gushti u përcaktua si data kur marrëveshja do të niste zbatimin.

Në Shëngjin qendra për pritjen e emigrantëve është gati por në Gjadër, punimet duket se do të zgjasin edhe disa javë. Kështu u shpreh ambasadori italian Fabirizio Buci gjatë inspektimit që bëri sot në qendrat përkatëse. 

Më 5 qershor, e pranishme në Gjadër ishte edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cila tha se emigrantët e parë në Shqipëri do të mbërrinin nga 1 gushti. Gjatë inspektimit që bëri Meloni tha se rendi publik brenda perimetrit të qendrave të ngritura, do të garantohej nga autoritetet italiane.

Ndërkohë, i gjithë personeli italian, me mjekë, infermierë, karabinierë e oficerë ka mbërritur në qendrat e ngritura dhe janë gati për pritjen e emigrantëve afrikanë.

Sipas marrëveshjes së firmosur më 6 nëntor 2023 nga kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane Giorgia Meloni, Shqipëria do të strehojë emigrantët e ardhur nga Afrika për t’i ardhur në ndihmë Italisë ndërkohë që shqyrtohet kërkesa e tyre për azil në shtetin italian. Në rast të pranimit të kërkesës së tyre, do të dërgohen në Itali, në të kundërt duhet të deportohen në Afrikë. Marrëveshja ka një afat 5 vjeçar dhe pritet që gjatë këtij afati, dy qendrat e grumbullimit të emigrantëve të mos e kalojnë shifrën prej 3 mijë personash çdo muaj, duke e çuar kapacitetin e tyre total në 36 mijë emigrantë në vit. Nga kjo marrëveshje Shqipëria nuk ka asnjë përfitim dhe vetë Rama ka deklaruar se këtë po e bën vetëm për të ndihmuar Italinë pavarësisht akuzave të bëra nga televizioni italian "RAI3". Versus.al

Poll