AKTUALITET /

Stamponin logo false për veshjet kontrabandë, pranga 3 administratorëve të dy magazinave dhe qiradhënësit

Aktiviteti i dy magazinave koordinohej nga turku Ozkan Sulum i cili u arrestua disa orë pas arrestimit të shqiptarëve.

Shkruar nga Versus
Stamponin logo false për veshjet kontrabandë, pranga 3
Veshjet e kontrabanduara

Tiranë-Policia ka zbuluar dy magazina në Rrugën e Arbërit në fshatin Brrar ku veshjeve të kontrabanduara u stampoheshin logo false për t’i bërë të duken si origjinale.

Në pranga kanë rënë 4 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Konkretisht janë arrestuar:

Luan Haka, administrator i njërës prej magazinave dhe është shpallur në kërkim djali i tij Lidon Haka;

Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, bashkëadministratorë të magazinës tjetër;

Arjan Hida, qiradhënësi për dy magazinat

Shtetasi turk Ozkan Sulun i cili shërbente si koordinues i kësaj veprimtarie kriminale.

Në këto magazina, veshjeve të kontrabanduara u stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare me qëllim për t'i shitur më pas si origjinale. Policia ka nisur hetimet edhe për 4 punonjës të këtyre 2 magazinave. 



Njoftimi i plotë:

Si rezultat i administrimit të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të punës kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, se në Rrugën e Arbërit, në fshatin Brrar, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi operacionin “Fake Star 5”.

Gjatë operacionit:

-u arrestua shtetasi Luan Haka dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi Lidon Haka, bashkadministratorë të njërës prej magazinave;

-u arrestuan shtetasit Ali Bushati dhe Xhulio Lecaj, bashkadministratorë të magazinës tjetër;

-u arrestua shtetasi Arjan Hida, qiradhënës i pronave;

-u arrestua shtetasi turk O. S., i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Versus.al

Poll