
Prokuroria e Posaçme (SPAK) sekuestroi dje pamjet filmike të bllokut të sigurisë ku mbahet i paraburgosur Roven Zeka, ish-shefi i shkarkuar i Qarkullimit Rrugor i cili u arrestua për korrupsion.
Menjëherë pas këtij veprimi të SPAK janë marrë në pyetje dy shefa komisariatesh të cilët shkuan në qelinë e Zekës dhe kryen takime të paautorizuara me të. Mësohet se është sekuestruar një celular dhe në veprimet hetimore të prokurorisë është edhe një biznesmen emri i të cilit nuk është bërë ende publik.
Arrestimi i Zekës dhe shefave të Rrugores për korrupsion
Më 19 prill me urdhër të SPAK u arrestuan shefi i Qarkullimit Rrugor, Roven Zeka, shefi i sektorit të hetimit të aksidenteve Sokol Novaku dhe efektivi Edison Tabaku, nën dyshimin se ishin përfshirë në korrupsion për të shpëtuar nga arrestimi shkaktaren e një aksidenti të ndodhur në Tiranë më 16 prill.
Krimi u zbulua falë përgjimeve që SPAK po bënte në telefonin e biznesmenit Erges Vrioni. Ky i fundit kishte oftuar para për oficerin dhe dy shefat në mënyrë që bashkëshortja e tij Anisa Vrioni t’i shpëtonte pasojave të aksidentit që kishte shkaktuar.
Vrioni fillimisht i ka dhënë 1 mijë euro efektivit Tabaku pranë banesës së tij. Më pas oficeri e ka takuar sërish Vrionin në një lokal ku i ka kërkuar edhe 1 mijë euro të tjera duke iu arsyetuar “kam edhe të tjerë mbi kokë”. Sipas SPAK, dy shefat dhe oficeri kanë kryer veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv. Versus.al








