Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim 29 të pandehur, përfshirë pedagogë, zyrtarë akademikë dhe biznesmenë, të dyshuar për përfshirje në një skemë të mirëorganizuar abuzimi me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT).
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Shkelje të barazisë në tendera” dhe “Shpërdorim detyre”, të kryera në kuadër të disa procedurave prokurimi gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej rreth 900 mijë euro.
Sipas SPAK, hetimet e nisura në tetor 2022 zbuluan se zyrtarë të lartë të universitetit – përfshirë zv.rektorët Ilir Kapaj dhe Romina Kotaj, si dhe administratorin Edmond Tërthorja – kishin bashkëpunuar me disa subjekte private për të manipuluar prokurimet publike në favor të kompanive të paracaktuara:
• “Krijon” sh.p.k
• “Zero Group” sh.p.k
• “Malvina Visoka PF”
Rezulton se këto kompani jo vetëm që janë favorizuar sistematikisht në tendera, por kanë përdorur edhe oferta fiktive në emër të operatorëve të tjerë, për të krijuar konkurencë të rreme dhe për të rritur vlerën e kontratave.
SPAK thekson se dokumentacioni teknik dhe specifikimet e fondeve limit ishin hartuar në bashkëpunim të plotë me firmat fituese, shumë muaj përpara hapjes zyrtare të procedurave, çka tregon për një manipulim të qëllimshëm dhe të koordinuar.
Në skemë janë përfshirë edhe anëtarë të njësisë së prokurimit dhe të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë luajtur rol kyç në përzgjedhjen e ofertuesve të parapërcaktuar.
NJOFTIMI I SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti sot (22.07.2025) kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.13/1 të vitit 2022 (i ndarë nga procedimi penal nr.13 të vitit 2022), në ngarkim të 27 personave, zyrtarë të Univeristetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe dy personave, përfaqësues të operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k.
Zyrtarët e Universitetit Bujqësor të Tiranës janë akuzuar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal.
Ndërsa dy përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë hetuar 9 (nëntë) procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit 90.000.000 (nëntëdhjetë milionë) lekë.
Hetimet proaktive janë zhvilluar me metoda speciale, të cilat përfshijnë përgjimin e bisedave telefonike të zyrtarëve të UBT, vëzhgime dhe administrimin e dokumentacionit të procedurave të prokurimit me autoritet kontraktor, UBT.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të stafit akademik në UBT, të pandehurit: Romina Koto dhe Ilir Kapaj në detyrën e zëvendës/rektorit, Bejo Bizhga, me detyrë Përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike, që konsistojnë në ideimin e projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI), si edhe veprime të kundraligjshme të kryera në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin Edmond Tërthorja, me detyrë Administrator i UBT-së.
Këta persona kanë përgatitur të dhëna fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI, kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor, në fazën e përgatitjes dhe kryerjes së procedurave të prokurimit. Komisioni që përllogariti fondin limit dhe përgatiti specifikimet teknike ka bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme me njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave nga të pandehurit: Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu, Tone Vukaj, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin, Edmond Tërthorja, të cilët kanë krijuar kushte dhe favorizuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.
/Versus.al/







